Politika monetare, javën e ardhshme vendimi për normën bazë
Banka Qendrore do të zhvillojë javën e ardhshme mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës për të diskutuar raportin e Politikës Monetare për muajin gusht 2009 dhe vendimin e politikës monetare. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës do të diskutojnë informacionet mbi vrojtimin e aktivitetit të sistemit bankar, për ndërhyrjet në tregun e parasë dhe atë të brendshëm valutor gjatë periudhës prill - qershor të vitit 2009, mbi ecurinë e rezervës valutore dhe portofolave të investimit gjatë muajit qershor, si dhe buletinin e “Bilancit të pagesave për vitin 2008”. Burime zyrtare të zyrës së shtypit bëjnë të ditur se në këtë mbledhje do të diskutohet edhe raporti i mbikëqyrjes për vitin 2008, raporti “Mbi veprimtarinë e auditit të brendshëm në tremujorin e dytë të vitit 2009”. Një tjetër diskutim do të jetë edhe ai për informacionin lidhur me pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për periudhën shtatë mujore të vitit 2009, si dhe ai për realizimin e buxhetit të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2009.
Statistikat, depozitat në lekë nga rezidentët, 94.5% të totalit
Bankat kanë bërë oferta për rritjen e normave të interesit të depozitave, me qëllim tërheqjen e parave të emigrantëve. Të dhënat tregojnë se gjatë muajit maj 2009 sektorë të tjerë rezident zuri nivelin më të lartë të depozitave të transferueshme në lekë, me rreth 46.0 për qind, ndjekur nga korporata të tjera jofinanciare, me rreth 36.6 për qind dhe nga korporata publike jofinanciare, me 15.1 për qind. Sipas Bankës së Shqipërisë, sektorë të tjerë rezident dhe korporata të tjera jofinanciare ishin gjithashtu burimi më i rëndësishëm i depozitave në monedhë të huaj, me rreth 78.4 për qind dhe rreth 17.6 për qind. Sektorë të tjerë rezident ishin dukshëm burimi më i rëndësishëm i depozitave të tjera në lekë me 94.5 për qind të totalit. Në përgjithësi, sektorë të tjerë rezident përbëjnë pjesën më të madhe me rreth 509 miliardë të depozitave totale, prej rreth 613 miliardë lekë që ishin në muajin maj të 2008-s. Ata ndiqen nga “korporata të tjera jofinanciare” me një shifër prej 79 miliardë dhe “Qeveria lokale” me rreth 1.1 miliard.
22 Gusht 2009