E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet tabela, pagat e atasheve ushtarakë shqiptarë në përfaqësinë e NATO-s

Pagesa e detajuar që nga grada “Gjeneral-lejtënant” deri në gradën “Nëntetar”

Tiranë - Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të shoqërohet me kostot e veta, pasi qeveria ka vendosur të hapë përfaqësinë e saj në Bruksel, ku një staf i madh atashesh ushtarakë shqiptarë do të punojnë aty. Pagat dhe mënyra e vlerësimit të këtyre ushtarakëve shqiptarë në përfaqësinë tonë të NATO-s në Bruksel janë përcaktuar dhe shpallur tashmë me vendim qeverie dhe kanë hyrë në fuqi. Këshilli i Ministrave ka miratuar tabelën analitike të pagave dhe shtesave në paga sipas vjetërsisë për të gjithë atashetë ushtarakë shqiptarë në përfaqësinë tonë pranë NATO-s në Bruksel. ”Efektet financiare për vitin 2009, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet buxhetore të këtij viti, të planifikuara për Ministrinë e Mbrojtjes. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 maj 2009”, - shkruhet në vendimin e qeverisë.
Kostot
Hapja e selisë së përhershme në NATO pritet t’i kushtojë shtetit shqiptar të paktën 480 mijë euro në vit. Qeveria mori gjashtë muaj më parë vendimin për hapjen e përfaqësisë së përhershme të Republikës së Shqipërisë pranë selisë së NATO-s në Bruksel, duke shtuar edhe numrin e punonjësve në këtë përfaqësi. Në vendimin e saj, qeveria ka përcaktuar numrin ushtarakëve dhe gradat e tyre. Gjithsej do të jenë 13 ushtarakë dhe punonjës që do të punojnë në selinë tonë të NATO-s në Bruksel. “Në përfaqësinë e përhershme të Republikës së Shqipërisë funksionon përfaqësia ushtarake, e cila përbëhet nga: përfaqësues ushtarakë në NATO, gjeneral major; zëvendës/përfaqësues kolonel; oficer shtabi për inteligjencën, nënkolonel; oficer shtabi për operacionet e stërvitjen, nënkolonel; oficer shtabi për logjistikën, nënkolonel; oficer shtabi për planifikimin, nënkolonel; oficer shtabi për komunikim/standardizim, nënkolonel; oficer shtabi për komitetet politiko-ushtarake të NATO-s dhe koordinimin me BE-në, nënkolonel; oficer shtabi për mbrojtjen ajrore, nënkolonel; specialist për administrimin/ financë/protokoll, major, nënoficer për administrimin/ sekretar/operator, kapter; nënoficer për regjistrin, rrjetin e klasifikuar, kapter; shofer/adjutant”, - thuhet në vendimin paraardhës të qeverisë.
Emërimet
Ushtarakët do të emërohen dhe lirohen nga detyra në përfaqësinë ushtarake nga ministri i Mbrojtjes. “Efektet financiare vjetore për mbështetjen e përfaqësisë ushtarake në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë selisë së NATO-s, Bruksel, janë në shumën 480 000 euro. Efektet financiare shtesë për vitin 2009 janë në shumën 280 mijë euro. Në relacionin e vendimit të posaçëm për çeljen e përfaqësisë tonë pranë NATO-s në Bruksel, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, kërkoi miratimin me procedurë të shpejtë të këtij vendimi për shkak të plotësimit të stafit të nevojshëm. Kjo për shkak të përfaqësimit të Shqipërisë në një mënyrë sa më të mirë të mundshme në mbledhjet e NATO-s, ku tashmë jemi anëtarë me të drejta të plota në organizmin më të fuqishëm ushtarak në botë.

Tabela e pagave të atasheve ushtarakë shqiptarë në përfaqësinë e NATO-s

Emërtimi Paga në euro Paga në dollarë Shtesa për përfaqësimin (në%)
Përfaqësitë e
NATO-s
Gj.lejtënant 1170 1410 75%
Gj.major 1145 1365 60-75%
Gj.brigade 1070 1285 60-75%
Përfaqësitë e
tjera
Kolonel 960 1165 40-60%
Nënkolonel 910 1100 40-60%
Major 865 1050 40%
Kapiten 805 1020 40%
Toger 760 925 40%
Nëntoger 705 875 40%
K/kapter 760 925 40%
Kapter 680 820 40%
Rreshter 560 655 40%
Tetar 455 560 40%
Nëntetar 405 505 40%

Qeveria rrit pagën e ndërlidhësve kufitarë pranë qendrës rajonale “SECI”

Qeveria shqiptare e ka bërë 805 euro pagën e ndërlidhësve kufitarë rajonalë shqiptarë që punojnë pranë qendrës ndërkufitare “SECI”. Më parë paga e tyre ka qenë 785 euro. Punonjësit shqiptarë, të Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Financave, për kohën që shërbejnë si nëpunës ndërlidhës pranë qendrës “SECI”, trajtohen me pagë për gradë dhe shtesë për përfaqësim. Për efekt të këtij trajtimi, paga e nëpunësve ndërlidhës, njehsohet me pagën e gradës “Këshilltar”, në shërbimin e jashtëm. Nëpunësit ndërlidhës, për kohën që shërbejnë pranë qendrës “SECI”, përfitojnë edhe kompensim për koston e jetesës në masën 150 (njëqind e pesëdhjetë) euro. Paga e nëpunësit ndërlidhës fillon nga data e mbërritjes së tij pranë qendrës “SECI”. Deri në këtë çast ai trajtohet me pagën ekzistuese të vendit të tij të mëparshëm të punës. Paga mujore i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat personale sipas legjislacionit në fuqi. Në bazë të pagës mujore paguhen edhe detyrimet për sigurimet shoqërore e shëndetësore. Paga mujore i nënshtrohet rishikimit, në të njëjtën formë, si të gjitha kategoritë e tjera të pagave në Republikën e Shqipërisë.

Pozicioni paga mujore
Paga bazë mujore (në euro) Shtesa për përfaqësimin (në %)

Nëpunës ndërlidhës
805 euro 40%

22 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›