E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, dy të vdekur dhe dy të plagosur nga e njëjta familje

Dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë në gjendje të rëndë në spital. Ky është bilanci i aksidentit të rëndë që ndodhi dje në aksin rrugor Kukës–Cajë. Një makinë e tipit “Benz” me targa të Kosovës ka dalë nga rruga në fshatin Shkinak të Komunës Grykë-Cajë, Kukës dhe ka përfunduar në humnerë, në një lartësi prej 100 metrash. Sipas policisë, personat që humbën jetën janë Shukri Martini, 55 vjeç dhe Servete Martini 40 vjeç, ndërsa dy personat e tjerë që ndodheshin në makinë, Rukie Martini, 55 vjeç, bashkëshortja e Shukrisë dhe djali i tyre 30 vjeç, Xhevahir Martini, u plagosën dhe për pasojë gjenden në gjendje të rëndë në spital. Të dy të plagosurit u dërguan menjëherë në spitalin e Kukësit, por në gjendje kritike për jetën. Sipas të dhënave nga policia thuhet se makinën e drejtonte Xhevahiri, djali i familjes Martini dhe familja po kthehej nga Kukësi për në fshatin e tyre, Shkinak, pasi kishin bërë pazar “për herë të fundit”. Menjëherë pas ngjarjes me përmasa fatale për familjen Martini, në vendin e aksidentit ka mbërritur Policia Rrugore dhe ka vërtetuar se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e automjetit që lëvizte në rrugët e keqe.

Ngjarja

Familja Martini, pasi kishte bërë pazaret në qytetin e Kukësit, ishte nisur për të shkuar në fshatin Shkinak, ku edhe banonte. Ata udhëtonin me makinën tip “Benz” me targa të Kosovës, të cilën e drejtonte djali i Shukri dhe Ruki Martinit. Por ndërsa udhëtonin, shoferi Xhevahir Martini ka humbur kontrollin e automjetit dhe për pasojë 4 personat që ndodheshin në makinë kanë përfunduar 100 metra poshtë në humnerë. Pas ngjarjes së rëndë, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, ku dhe kanë bërë të mundur transportimin në spital të të plagosurve. Nga të dhënat e policisë mësojmë se dy prej të plagosurve nuk iu kanë rezistuar plagëve të marra dhe kanë gjetur vdekjen, ndërkohë që dy të tjerët gjenden në spital në gjendje të rëndë.

Hetimi

Nga hetimet e para ka rezultuar se shkaku kryesor i aksidentit ka qenë terreni shumë i thyer, por edhe shpejtësia e madhe e automjetit tip “Benz”, të drejtuar nga 30-vjeçari Martini. Por lidhur me këtë aksident, në vendngjarje kanë mbërritur ekspertët e policisë dhe po punojnë për të nxjerrë në pah edhe më tej shkaqet e vërteta të këtij aksidenti. Nga burimet policore mësojmë se në po këtë rrugë janë plagosur 8 persona në një aksident të ndodhur tri ditë më parë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›