E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksioni “Oxhaku”, sekuestrohen 70 vula false

Tiranë

Policia e Tiranës sekuestroi dje rreth 70 vula të institucioneve të ndryshme, si dhe një sërë dokumentesh zyrtare të falsifikuara në ambientet e një banese në afërsi të Xhamllikut në Tiranë, operacion i kryer në kuadër të një operacioni të koduar “Oxhaku”. Ndërkohë që falë këtij operacioni është vënë në pranga 55-vjeçari Bashkim Sejdini. Arrestimi i tij u krye pas një hetimi disamujor ku, sipas burimeve zyrtare të policisë, u përdorën të gjitha metodat speciale të hetimit. Policia mundi të sekuestronte vula të institucioneve të ndryshme si, të bashkisë, doganave, hipotekave, vula komunash, vula shkollash, vula policie. Po ashtu, shtetasit Bashkim Sejdini, pas një kontrolli të imtë iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 70 vula të institucioneve të ndryshme si, vula të Bashkisë së Tiranës; vula të Prokurorisë së Rrethit Tiranë, të Gjykatës së Rrethit Tiranë, vula të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale të Greqisë, vula të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale të Shqipërisë; vula të zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme; të Doganave të Durrësit dhe të Tiranës; Drejtorisë së Përgjithshme të Transporteve; të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim Taksave dega Tiranë; vula të Komunave Prishtinë, Deçan, Mitrovicë, Suharekë, vula e Komunës Bërxullë; vula të shkollave të mesme së përgjithshme “Ismail Qemali” dhe “Partizani”, vula të Fakulteteve të Inxhinierisë së Ndërtimit, Fakultetit të Shkencave Sociale; vula të shkollave të Prizrenit; vula të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shtetit, Drejtoria e Policisë Rendit; vula të Sektorit të Biznesit të Madh dhe të Vogël në Drejtorinë e Tatim Taksave Tiranë; vulë të shoqatës të të Dënuarve Politikë; vulë e Komisariatit të Policisë Vlorë; vula të punonjësve të gjendjes civile të Bashkisë Tiranë. Po ashtu, shtetasit Bashkim Sejdini iu gjendën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe një sasi prej 11 lejesh për drejtim automjetesh të falsifikuara e të paplotësuara, 5 copë certifikata të Sigurimit Motorik të mjeteve të falsifikuara, 5 copë leje qarkullimi për automjete të paplotësuara të falsifikuara, 10 copë vërtetime dogane për hyrje automjetesh të falsifikuara të doganës Durrës, të falsifikuara të paplotësuara, 3 copë vërtetime të degës Tatim Taksave Tiranë, të vulosura të paplotësuara të falsifikuara, 4 copë certifikata regjistrimi të Biznesit të Vogël të paplotësuara të falsifikuara, vërtetime të Sigurimeve Shoqërore dega Tiranë, të paplotësuara të falsifikuara, 5 copë vërtetime për mbarimin e shkollave të mesme të përgjithshme “Ismail Qemali”, të paplotësuara të falsifikuara dhe libreza për kontribute të sigurimeve shoqërore të vulosura të falsifikuara të paplotësuara. Gjithashtu, iu gjendën edhe 10 copë dëshmi të Kryqit të Kuq të falsifikuara. Falë grumbullimit të saktë të informacioneve operative nga ana e specialistëve të këtij seksioni, u mundësua dokumentimi i plotë i veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ndërkohë vazhdon puna për thellimin e mëtejshëm të hetimeve dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale apo të aseteve të përfituara nga kjo veprimtari.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›