Aksidenti, dy të vdekur, një i plagosur
MALËSI E MADHE - Dy të vdekur dhe një i plagosur është bilanci tragjik i një aksidenti të ndodhur në orën 14:30 në aksin Hot-Vermosh, pikërisht në vendin e quajtur fshati Brigje, komuna Kastrat e Malësisë së Madhe.
Një automjet tip kamion me targa SH 4027 E ka dalë nga rruga duke rënë rreth 50 metra poshtë. Si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën drejtuesi i mjetit, Gazmend Ujka, 34 vjeç, banues në fshatin Broje dhe shtetasi Pjerin Smajlaj, 30 vjeç, banues në fshatin Rapsha. Ndërkohë që ka mbetur i plagosur Alfred Frangaj, 22 vjeç, i cili është dërguar menjëherë në spitalin e Shkodrës, por që është në gjendje kritike për jetën.
Nga hetimet e para ka rezultuar se mjeti tip kamion ka qenë i ngarkuar me lëndë drusore dhe ka dalë nga rruga si pasojë e motit të keq me shi dhe terrenit të thyer. Dyshohet që rëndesa e lëndës drusore të ketë ndikuar edhe më tepër për rrëshqitjen e automjetit. Ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e mëtejshme të detajeve të ngjarjes.
****************************
Pronësia, goditet me levë në kokë 70-vjeçari
FIER - Ka mbetur i vdekur i goditur në kokë me levë një 70-vjeçar nga fshati Kuqar i Patosit, teksa trupi i tij i pajetë është gjetur mëngjesin e së premtes.
Sipas policisë, viktima Ferit Hoxha është larguar nga banesa e tij mbrëmjen e së enjtes në drejtim të ullishtave, pronë e tij. Mungesa në shtëpi i ka bërë familjarët që të dalin ta kërkojnë dhe më pas të njoftojnë edhe policinë.
Kërkimet kanë vazhduar deri në mëngjesin e djeshëm, kur ai është gjetur nga i nipi në tokat me ullinj. Trupi i tij është marrë nga forcat e policisë dhe është dërguar në morgun e qytetit Fier për të kryer ekspertizën.
Pas autopsisë ka rezultuar se 70-vjeçari kishte gjetur vdekjen nga goditje me sende të forta, të cilat dyshohet se janë leva hekuri. Ndërkohë janë marrë në pyetje i vëllai, si dhe të afërm të tjerë të viktimës. Burime nga policia shprehen se familja e 70-vjeçarit ka pasur konflikt pronësie me të afërmit e tij, çka dyshohet të jetë edhe shkak i krimit të kryer.
Nga ana tjetër, mësohet se jo rrallë Ferit Hoxha ka dërguar edhe letra në drejtim të policisë ku ai ankohej për çështjen e pronësisë dhe për konfliktet që kishte me të afërmit e vet për këtë. Mësohet se vëllai i viktimës kishte pretendime për pronën me ullinjë që kishte 70-vjeçari. Teksa vijojnë hetimet për të moshuarin, nga ana e policisë u deklarua se autori do të vihet shumë shpejt në pranga.