Shembje në Kalimash, hapet një hon 120-metrash
TUNELI/ Shpërthimet mësohet të jenë shkak për gjendjen e ndodhur në kilometrin e dytë të Thirrë-Kalimash
Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se gjatë gjithë ditës së djeshme nuk është punuar në tunel
KALIMASH - Shembje që është perceptuar si një tërmet dhe krijimi i një hinke gjigante me një lartësi prej 120 metrash. Kjo është situata në kilometrin e dytë të tunelit Thirrë-Kalimash. Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të së enjtes, në kohën që po bëhej ndërrimi i turneve të punëtorëve.
Madje, kjo konsiderohet edhe si një "fat" nga ana e tyre, për shkak se punëtorët janë ndodhur rreth 80 metra larg rrezes së shembjes së tunelit, duke bërë kështu që asnjëri prej tyre të mos dëmtohej.
Shembjet mësohet se kanë ndodhur pas përdorimit të lëndëve shpërthyese për të hapur më tej tunelin. Një gjë e tillë, duke marrë parasysh edhe deklaratat e mëparshme për një masiv të paqëndrueshëm, kanë bërë që në tnnel të ketë shembje të herëpashershme.
Mësohet se shembja ka ndodhur në tunelin që ishte në ndërtim e sipër dhe nuk ka shërbyer për transport. Por probleme ka pasur edhe tuneli në të cilin kryhej transport, pasi për afro 1 kilometër ai nuk ka qenë i plotësuar qoftë në asfaltim apo suvatime të pjesëve anësore dhe tavanit.
Në këtë tunel për 1 km ishte krijuar ulje e tabanit, ndërsa për tunelin tjetër dykalimësh gjithë kohës është folur se ka pasur probleme shembjesh, pasi gjithmonë janë krijuar hinka të tilla. Por shembja e fundit ka qenë më e madhja e shënuar në këtë tunnel.
Sipas punëtorëve dëshmitarë që nuk kanë dashur të identifikohen, shembja ka qenë e madhe dhe ka dhënë goditje të barasvlefshme me amplitudën e një tërmeti të fuqishëm, ndërsa ata ia kanë mbathur për t'u larguar nga vendi ku ka ndodhur. Bëhet fjalë për një hinkë gjigante të formuar pikërisht në një gjatësi prej 80 metrash, me një lartësi afro 120 metra, çka nënkupton se do të ishte një katastrofë e vërtetë për vijimin e punës në këtë tunel.
Dje gjatë gjithë ditës nuk është punuar në këtë tunel dhe kompania ka vendosur në hyrje dhe në dalje të tij makineri të tonazhit të rëndë për të mos lejuar futjen e mjeteve aty brenda, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë qenë dhe forca policore.
Deri më tash nuk ka një prononcim zyrtar nga ana e drejtuesve të kompanisë, por të paktën është e kuptueshme se në këtë tunel ka një problem të madh gjeologjik dhe për këtë siguria është e minimizuar. Është mbase kjo arsyeja përse specialistët dhe drejtuesit e kompanisë kërkuan me ngulm që të mos lejohej kalimi i automjeteve përmes tij dhe të ndërhyhej për një kohë të papërcaktuar.
Por pikërisht nga shembja e djeshme dhe të tjera shembje që vazhdojnë ende nuk dihet se kur ky tunel do të bëhet i kalueshëm për automjetet për Kukës apo Kosovë, rrugë e cila u pati sjellë komoditet të lartë udhëtarëve, ndërsa tani ata janë detyruar të marrin sërish rrugën e vjetër nga Qafa e Malit.
Gjatësia prej rreth 1 kilometër në mesin e galerisë e cila është në ndërtim e sipër do të jetë e betonuar në të gjithë sipërfaqen e saj si në faqet anësore, tavanin dhe dyshemenë, madje trashësia e betonit në dyshemenë e tunelit deklarohet se do të jetë deri në pesë metra. E njëjta gjë do të perseritet më pas edhe në gjatësinë e tunelit në tubin jugor, i cili ka qenë në funksionim deri më 11 tetor.
Specialistët janë detyruar të zbatojnë një formë të tillë për shkak të shembjeve të ndodhura në këtë gjatësi të tunelit, të cilat kanë arritur të deformojnë edhe profilet e çelikut në formë harku. Dhjetëra tonelata me profile çeliku speciale të importuara nga Italia e Kroacia kanë dalë jashtë përdorimit pasi janë shtrembëruar nga pesha e dheut që ka pësuar shembje.