E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, reshjet përmbytin "Mark Lulën"

Mungesa e fondeve ka qenë justifikimi i dhënë nga kryebashkiaku për banorët e lagjes

SHKODËR - Reshjet e rëna ditët e fundit në qytetin e Shkodrës kanë bërë që lagjja periferike "Mark Lula" të përmbytet nga vërshimi i ujërave. Çdo rrugicë e kësaj lagjeje është e bllokuar me pellgje të mëdha uji. Si pasojë, qarkullimi për mjetet motorike dhe aq më tepër për këmbësorët është i pamundur.


Banorët shprehen se situata vështirësohet më tepër për fëmijët e vegjël, të cilëve u duhet të përshkojnë dy herë në ditë rrugicat. Banorët tregojnë se premtimet kanë qenë të shumta, por deri më tani kanë rezultuar të pambajtura nga pushtetarët lokalë e qendrorë. Sipas tyre, "kjo situatë është tepër alarmante dhe pushteti vendor duhet të ndërhyjë për ndryshimin e kësaj situate.


Gjatë fushatës elektorale kanë qenë të shumta premtimet, por ende asgjë nuk është bërë"- shprehen banorët. Banorët janë takuar edhe me kryetarin e Bashkisë, Lorenc Luka, por përgjigjja e tij ka qenë negative. Mungesa e fondeve është justifikimi i kryebashkiakut për rikonstruksionin e atyre rrugicave të cilat përshkohen nga afro 2000 familje.


Lagjja "Mark Lula", e cila ndodhet në periferi të qytetit të Shkodrës, është populluar në 18 vitet e fundit nga persona të ulur nga zonat e thella malore të Qarkut Shkodër. Duket se kjo është arsyeja që ajo lagje vuan shumë e shumë probleme dhe vazhdon të jetë në harresë nga pushteti lokal. Përveç infrastrukturës rrugore, e cila është në gjendje alarmante, kjo lagje ka probleme të theksuara ekonomike.


Shëngjini mbytet


Rruga kryesore e qytetit të Shëngjinit është mbytur e tëra në ujë këto ditë dhe dje njerëzit e kishin të pamundur të dilnin nga disa hyrje pallatesh.


Për shkak të mosfunksionimit të kanalizimeve, ndërtimeve pa kriter dhe papërgjegjshmërisë së organit përkatës të komunës me inspektoriatin ndërtimor, qyteti është gjendur në një situatë kaotike duke sjellë "ngujimin" e banorëve nëpër pallate derisa të ulet niveli i ujërave, por gjithnjë nëse shirat nuk vazhdojnë, gjë që nuk po shihet në horizont.


Kjo ka bërë që banorët të rrinë me sytë nga qielli për t'i shpëtuar këtij makthi. Banorët thanë se prej kohësh kanë njoftuar autoritetet përgjegjëse në komunë, por gjithçka bie në vesh të shurdhër dhe këtu vazhdon e njëjta situatë në kohë shirash dhe sidomos në stinën e vjeshtës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›