E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitmarrja, tre policë në pranga

Policia e Elbasanit ka arrestuar tre kolegë. Merrnin para për të mos vënë gjoba


ELBASAN - Kanë përfunduar në pranga tre policë rrugorë të Elbasanit, ndërsa akuza e ngritur ndaj tyre është ajo e korrupsionit pasiv. Burime zyrtare nga uniformat blu bëjnë të ditur se hetimi për tre policët kishte gjashtë muaj që kishte nisur, por vetëm mëngjesin e së premtes është bërë i mundur arrestimi i tyre.


Elmaz Muça, Fatmir Kryeziu dhe Endri Elezi janë arrestuar me urdhër të prokurorisë pas kërkesës së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Mësohet se hetimi ndaj tyre ka nisur pas akuzave për marrje parash në këmbim të lehtësirave për gjoba dhe për bllokime automjetesh.


Denoncimet nga qytetarë të ndryshëm kanë çuar edhe në nisjen e hetimit nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, duke bërë që tre policët rrugorë të vihen nën vëzhgim. Sipas të dhënave nga hetimi, tre agjentët kanë kërkuar para për të mos shkruar gjoba apo për të mos u hequr patentën drejtuesve të automjeteve. Njëkohësisht mësohet se është provuar se ata premtonin lehtësira në këmbim të ryshfeteve.


Por mëngjesin e së premtes, teksa janë paraqitur në punë si çdo ditë, ata janë vënë në pranga nga agjentë të SHKB-së pas urdhrit të ndalimit të lëshuar nga prokuroria. Drejtues të policisë janë shprehur se lufta kundër korrupsionit brenda radhëve të policisë do të vazhdojë, ndërkohë që u inkurajuan denoncimet e qytetarëve për rastet kur policët kërkojnë para për të kryer punën e tyre.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›