Aksidenti, humb jetën 36-vjeçari
11/02/2005 Një 36-vjeçar ka humbur jetën dje ndaj të gdhirë në një aksident automobilistik. Burime zyrtare nga Komisariati i qarkullimit rrugor, bëjnë të ditur se Afrim Zyko udhëtonte në automjetin tip "Benz" AG 420 CE, shofer i të cilit ishte Gazmir Koromani. Mësohet se drejtuesi i automjetit të vdekjes ishte në gjendje të dehur. "Benzi" ishte duke qarkulluar në qendër të Kamzës, kur u përplas me kamionin TR 0968. Ky automjet ishte i parkuar anës rrugës dhe brenda nuk kishte njeri. Shërbimet e policisë së rendit ishin të parat që u erdhën në ndihmë të plagosurve nga aksidenti. Ata lajmëruan më pas kolegët e tyre të qarkullimit rrugor, të cilët mbërritën në vendin e ngjarjes pak minuta më pas. Blutë konstatuan shpejt se pasagjeri Afrim Zyko kishte mbaruar në vend, ndërsa shoferi ishte i plagosur lehtë. Ata dërguan menjëherë të lënduarin në Spitalin Ushtarak, ku gjendet tashmë jashtë rrezikut për jetën. Trupi i pajetë i viktimës iu dorëzua familjarëve për t'i bërë nderet e fundit. Sakaq, grupi hetimor konkludoi se shkak për aksidentin tragjik ishte gjendja e dehur e shoferit Gazmir Koromani, i cili u ndalua. Materialet në ngarkim të tij iu kaluan Prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme mbi ngjarjen.