Ekstradimet, BE asistencë për bashkëpunim në fushën penale
11/02/2005 TIRANË – Ekstradimet kanë qenë dhe mbeten një problem shumë i madh për drejtësinë tonë. Por nuk është ky i vetmi diskutim që do të bëhet midis ekspertëve të BE-së dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë. Diskutimi për bashkëpunimin gjyqësor në fushën penale dhe përafrimin e legjislacionit, nisi dje. Ekspertët e ndërmorën këtë seminar për të afruar sadopak legjislacionin vendas me atë të vendeve që marrin pjesë në Bashkimin Evropian. Ilir Panda, tha dje gjatë takimit se, bashkëpunimi ndërkombëtar është bërë disiplinë më vete. Në fjalën e tij, Panda iu drejtua pjesëmarrësve në seminar, se për të hetuar dhe gjykuar duhet të kuptosh, veprosh dhe shumë aftësi. Vetëm nëpërmjet këtyre tri pikave mund të jesh efektiv në punë. Më tej, Panda u shpreh se termi kyç në jurisprudencë është profesionalizmi. Në këtë seminar pika më diskutante do të jetë ekstradimi mbi bazën e instrumentave ndërkombëtarë, verifikimi i kërkesave të ekstradimit dhe kërkesave për arrestin me kusht, duke përfshirë edhe probleme të tjera, si gjykimet në mungesë dhe statusin e kufizimit.