U fejua për ta trafikuar, dërgohet në burg pa afat
11/02/2005 TIRANË – Arjan Belishaku u dërgua dje në burg pa afat, pas vendimit që dha Gjykata për Krime të Rënda. Akuza me të cilën erdhi i pandehuri nga Lushnja, është ajo e trafikimit të femrave për prostitucion. Verën e kaluar, i pandehuri, sipas prokurorit Përparim Kulluri, u fejua me një vajzë nga fshtrat e qytetit të tij të lindjes, Lushnjë. Pasi e mashtroi se e dashuronte dhe me të do të kalonte jetën, i pandehuri niset për në Greqi. Ashtu si gjithë familjet, edhe prindërit e vajzës nga fshtrat e Lushnjës ia besuan të pandehurit. E njëjta skenë përdoret nga tutorët. Fillimisht bëjnë sikur kanë rënë në dashuri, më pas shkojnë në familje dhe i kërkojnë prindërve dorën e vajzës, e më pas harxhojnë para për të blerë orën, unazën e rroba. Kaq u duhet djemve të shtien në dorë "gjahun", prej të cilit do të kenë fitime të majme në Greqi. Kështu bëri edhe i pandehuri. Pasi fejohet e merr dhe largohet në Greqi. Sapo kalon kufirin dhe vendoset në një dhomë për të jetuar, futet drejt e në temë. I kërkon të fejuarës të dalë në rrugë për të nxjerrë fitime e më pas të blejnë shtëpi. Vajza ka treguar në polici se i është nënshtruar të fejuarit të saj pas keqtrajtimeve të shumta që i ka bërë. Ka dalë në rrugë për gjashtë muaj me radhë. Më pas është kapur nga policia dhe sapo ka ardhur në Lushnjë ka bërë denoncimin. Shfrytëzim prostitucioni dhe keqtrajtim është akuza që është ngritur për të pandehurin, pas kallëzimit të vajzës.