E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tiranë, vidhen 5 "Benza" në ditë

11/02/2005  Erdhën me automjetet e tyre në Tiranë për të parë ndeshjen e Kombëtares shqiptare me përfaqësuesen e Ukrainës, por u kthyen me makina të rastit. Megjithë masat e sigurisë nga policia, ditën e mërkurë u grabitën në rrugët e kryeqytetit 5 automjete të tipit "Benz". E përbashkëta e autoveturave të humbura ishte se që të gjitha kishin targa rrethesh. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, bëjnë të ditur se në orën 18.00 u vodhën dy mjete të tilla. "Benzi" me targa SH 7185 D, pronë e Ermal Gruemirës nga Shkodra, ishte parkuar para Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. I zoti e kishte parkuar atje për pak minuta, por kur u kthye e gjeti vendin bosh. Po në atë orë, në rrugën "Lekë Dukagjini", u zhduk pa lënë gjurmë "Benzi" BR 8098 A, pronë e Dine Brokës. Për të vijuar më tej me vjedhjen e një tjetri para selisë së Partisë Demokratike. Mjeti me targa DR 7549 C, pronë e firmës "S.I.A.C" me qendër në Durrës, ishte parkuar në atë vend, kur ra pre e gjuetarëve të tij. Maniakëve të makinave nuk u ka shpëtuar as makina LA 3742 A, me pronar Kristian Dacin, parkuar te lokal "Ujvara". Viktima e fundit e vjedhësve ka rënë "Benzi" me traga DR 2763 D, e shtetasit Trëndafil Fejzo. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtyre grabitjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›