E Hënë, 2 Nëntor 2026

E mërkura, 5 plagosje në kryeqytet

11/02/2005  Dita e mërkurë ka shënuar 5 plagosje në kryeqytet. Burime zyrtare nga Ministria e Rendit Publik, bëjnë të ditur se për fat të mirë asnjë nga ngjarjet nuk është shoqëruar me viktima. Karakteristika e tyre është arma e krimit, e cila në të gjithë rastet është thika dhe mjetet e mprehta. Përsa i përket motiveve, janë ato të dobëta.

Plagosjet

Tre nga ngjarjet në fjalë kanë ndodhur në fshatrat e Tiranës. Ora 18.00 e së mërkurës ka shënuar një grindje në Babrru. Albi Ismaili ka bërë sherr me dy vëllezër dhe nuk ka ngurruar t'i qëllojë. Ka mjaftuar një motiv banal, që të rinjtë të kalojnë nga debati në thika. Si pasojë kanë mbetur të lënduar Zydi e Sinan Isufi nga ky fshat. Policia po punon për kapjen e Ismailit. Në datën 9 shkurt iu kaluan Prokurorisë materialet në ngarkim të Ervin Lilës. 21-vjeçari nga Yrsheku ka plagosur me kaçavidë bashkëfshatarin e tij, Edmond Byku. Të njëjtat burime saktësojnë se ngjarja ka patur motive të dobëta. 24-vjeçari i plagosur ndodhet në banesë pas mjekimit që mori në Spitalin Ushtarak. Për të vijuar më tej me Arben Mesin. 27-vjeçari nga Fushë-Preza ka plagosur me thikë Sabri Mesin. Uniformat shprehen se, ngjarja ka ndodhur paraditen e së mërkurës pas një sherri vulgar. Autori dhe viktima janë të afërm mes tyre. I riu u vu menjëherë në prangat e bluve dhe në cilësinë e provës materiale u bllokua thika. Përsa i përket dy plagosjeve në Tiranë, policia sqaron se konfliktet kanë ndodhur në lokale me persona të paidentifikuar. Sokol Çangu ka denoncuar se në rrugën "S.Kosturi" është goditur për motive të dobëta me thikë nga dy persona të panjohur. Pas aktit ata janë larguar me vrap. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me Lulëzim Pjetërnikajn. 30-vjeçari me banim në Laprakë kallëzon se te bar "Kajro", pas një konflikti me dy persona, është goditur me mjete të forta në kokë. Organet e rendit po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›