Aksidenti i dyshimtë i dëshmitarit të Gërdecit
TIRANE – Lajmi për vdekjen e Kosta Trebickës në fshatin Lekas të Korçës, u përhap me shpejtësinë e dritës pasditen e 12 shtatorit të vitit 2008. Për vetëm pak minuta, ai u bë lajmi i parë për çdo organ mediatik elektronik në Shqipëri, por edhe për ato të shkruara. Kjo për faktin se emri i tij ishte lakuar së tepërmi asokohe si një ndër dëshmitarët kryesorë të trafikut të armëve nga Gërdeci në Afganistan dhe si denoncuesi publik i këtij trafiku. Pak pas ngjarjes, policia lokale njoftonte se Trebicka kishte pësuar një aksident me automjetin e tij tip “Nissan”, teksa kishte dalë për gjueti. Dyshimet për një vrasje të qëllimshme bënë që për hetimin e çështjes të angazhoheshin edhe prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, që njëkohësisht ishin duke hetuar shpërthimin e 15 marsit 2005 në Gërdec. Ngjarja nuk i shpëtoi ngjyresave politike, për vetë momentin kur ndodhi. Pak ditë pas ngjarjes, me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, në vendin e aksidentit u paraqitën disa ekspertë amerikanë, për një ekspertizë të paanshme dhe të specializuar. Pas ekspertizave, ekspertët amerikanë arritën në përfundimin se kishim të bënim me një aksident. ar.ba.