E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga, i hodhi detergjent përmbaruesit



TIRANE - Policia e Tiranës pohoi dje se ka vënë në pranga personin që sulmoi duke i hedhur detergjent në fytyrë zëvendësdrejtorit të Përmbarimit të Tiranës, Baftjar Neli, mesditën e së shtunës. Sipas policisë, i prangosuri quhet Eqerem Visha, ndërsa shkak për ngjarjen ishte mospranimi nga i arrestuari për të liruar një lokal pranë sheshit "Avni Rystemi". Ditën e shtunë, e cila ishte ditë pushimi, përmbaruesi Neli, kishte njoftuar se do ekzekutonte vendimin e gjykatës, ndërsa Visha ka pohuar se lokalin do vazhdonte ta mbante, pasi vëllai i pronarëve i detyrohej një shumë të konsiderueshme lekësh borxh. Gjatë grindjes mes nëndrejtorit të përmbarimit dhe Vishës është dëmtuar edhe një polic i komisariatit numër një të kryeqytetit, i cili ndodhej në ndihmë të përmbarimit. Pas ngjarjes, nëndrejtori Neli ka depozituar kallëzim penal për ushtrim dhune ndaj Vishës, ku ka treguar në polici edhe ngjarjen e plotë. Burime policore pohuan se Neli ka treguar se i ishte hedhur lënda gëryese sapo ka hapur derën e lokalit. Fatmirësisht ai ka marrë vetëm disa dëmtime të vogla. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›