E Diel, 1 Nëntor 2026

Depresioni pas divorcit, var veten 38- vjeçari kryeqytetas



TIRANE - Depresioni, var veten 38- vjeçari kryeqytetas. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesnatën e djeshme, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është gjetur mëngjesin e djeshëm nga kalimtarët e rastit, në një ulli pranë Kinostudios. Burime të policisë së kryeqytetit pohojnë se i vetëvaruri quhet Përparim Hysa, 38- vjeç, i cili jeton në rrugën "Qazim Vathi" në lagjen "Varri i Bamit". Ndërsa vetëvrasjen e kishte bërë larg banesës në një zonë të papopulluar, pranë Kinostudios. Në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës ai kishte shkuar i vetëm në vendin ku do të vetëvarej dhe kishte nisur të pinte një shishe raki e një paketë cigare, në kohën që kishte shkruar dy letra drejtuar ish-bashkëshortes dhe nënës së vet, ku u linte amanet vajzën e tij katër vjeçe. Pastaj, sapo ka mbaruar letrat me të shkruar ai ka shfrytëzuar një rrip plastik, që përdoret për të lidhur ambalazhet e frigoriferëve, të hedhur aty, të cilin e ka bërë lak dhe e ka lidhur në njërën nga degët e ullirit, të cilin më pas e ka përdorur për t'i dhënë fund jetës. Rreth orës 07:00 të mëngjesit të djeshëm trupin e pajetë e kanë parë punëtorët e disa aktiviteteve private, që ndodheshin aty, të cilët do merrnin turnin e punës. Këta kanë njoftuar policinë dhe pas kësaj është bërë edhe transportimi i kufomës në morgun e kryeqytetit. Ekspertët mjeko-ligjorë, që ekzaminuan kufomën e 38- vjeçarit Hysa, pohuan se vetëvarja mund të ishte kryer rreth mesnatës, ndërsa kufoma është gjetur në mëngjes. Të afërm të familjes Hysa pohuan dje se 38- vjeçari ishte divorcuar katër vjet më parë dhe bashkëshortja jetonte në Itali së bashku me vajzën 4 vjeçare. Pas divorcit ai kishte pësuar depresion, çka i shtohej edhe nga fakti që e shihte rrallë fëmijën e tij. Të afërmit pohojnë se familja Hysa jetonte në kushte të mira ekonomike, pasi ishin pronarë të një vile tre katëshe, madje në katin e parë kishin edhe një lokal. Të njëjtat burime pohojnë se kohët e fundit puna në lokalin e familjes Hysa kishte rënë ndjeshëm, duke i shtuar depresionin 38- vjeçarit. Sipas tyre askush nuk e kishte parë mbrëmjen e së shtunës Përparimin të largohej nga banesa. Ndërkohë, as mungesën e tij familjarët nuk e kishin vënë re, pasi mendonin se ai ndoshta ishte larguar për të pirë kafe me ndonjë shok. Mëngjesin e djeshëm familjarët e tij kishin nisur ditën si zakonisht, madje e ëma kishte bërë edhe pazar në lagje rreth një orë para se policia t'i njoftonte për vdekjen e 38- vjeçarit. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›