Katër personat e arrestuar i kishin futur bagëtitë në bagazhin e makinës dhe ishin nisur për t’i shitur
Një bandë, e cila merrej me vjedhjen e deleve, ka përfunduar në prangat e policisë së kryeqytetit, pasi është kapur në flagrancë. Gjatë një kontrolli rutinë, në makinën e katër personave të arrestuar janë gjetur tri dele, që pas verifikimeve ka rezultuar se ia kishin vjedhur një kushëririt të tyre. Ngjarja e rrallë ka ndodhur në Tiranë, ndërkohë që policia u ka vënë prangat katër të dyshuarve. Sipas të dhënave policore, tri ditë më parë, nga shërbimet e hetimit të krimit të Komisariatit Nr.4 u krye arrestimi në flagrancë i shtetasve Barim Islam Flora, 30 vjeç, lindur dhe banues në Zall-Bastar, i proceduar më parë për vjedhje me armë; Ded Pjetër Prela, 41 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë; Seit Shpëtim Bastriu, 27 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Fatmir Faik Rakipi, 37 vjeç, lindur në Shijak dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye sepse në fshatin Vilz, Komuna Zall–Bastar, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur tri dele. Policia tha se u kryen veprimet procedurale dhe në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Mercedes Benz 240”, ngjyrë blu, me targë TR6832A dhe tri delet. Sipas hetimeve, policia i ka ndaluar për kontroll, por kur kanë hapur bagazhin, kanë gjetur brenda tri dele. Ata janë pyetur se ku i kishin marrë delet dhe katër personat nuk kanë ditur çfarë të tregojnë. Në këto kushte, kanë nisur verifikimet dhe ka rezultuar se delet ia kishin vjedhur Zenel Florës, 45 vjeç, kushëri i Barimit. Pas vjedhjes, delet i kishin futur në bagazh dhe ishin nisur për t’i shitur, por janë ndaluar nga policia.