E Shtunë, 31 Tetor 2026

Para viteve ‘90 ka pasur një marrëveshje për “disiplinimin” e ujërave të lumit

Nga hidrocentrali i Spilesë në Dibër të Madhe të Maqedonisë, pikërisht aty ku nis rrjedhja e Drinit të Zi në territorin e vendit tonë, vazhdojnë derdhjet e ujit. Prurjet e Drinit të Zi luajnë rolin kryesor në rregullimin e situatës hidrike, për të gjitha basenet ujëmbledhëse të ndërtuara në kaskadën e Drinit. Janë pikërisht këto prurje, tej çdo norme të këtyre ditëve, që sollën përmbytjen e zonës së Nënshkodrës. Por edhe përkundrejt kësaj situate, vërtet alarmante për vendin tonë, portat e digës së hidrocentralit të Spilesë jo vetëm që nuk u mbyllën për asnjë moment, por as edhe u reduktuan. Ndërkohë, nga një vëzhgim i bërë edhe në ditën e djeshme, portat e shkarkimit të këtij hidrocentrali vazhdojnë të jenë të hapura, duke ndikuar në tejmbushjen me ujë të Drinit. Para viteve ‘90 ka pasur një marrëveshje mes qeverive të Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë, ku Maqedonia bënte pjesë, për “disiplinimin” e ujërave të Drinit të Zi, në dobi të të dyja vendeve. Por, natyrshëm që pas viteve ‘90, me shpërbërjen e Jugosllavisë, këtë marrëveshje e mbuloi pluhuri i harresës, e mbetur në ndonjë nga arkivat e Beogradit.
Ndërkohë që nuk ka ndonjë përpjekje nga asnjëra palë për rinovimin e kësaj marrëveshjeje. Aktualisht “timoni” i prurjeve të Drinit ka mbetur në duart e maqedonasve, si në Liqenin e Ohrit, në Strugë, ku dhe nis rrjedhjen e tij, ashtu edhe nga dalja prej digës së HEC-it të Spilesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›