Prokuroria mbyll hetimet për Nikollaq Taullarajn. Kërcënoi ne telefon tre “bosa” në Vlorë
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet për Nikollaq Taullarajn, i cili ishte kthyer në tmerrin e biznesmenëve të ndërtimit në qytetin e Vlorës, duke u vendosur gjoba me telefon. Ai do të gjykohet nën akuzën e trefishtë për shtrëngim me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë. Prokurori Enrik Ligori, pas përfundimit të hetimeve paraprake për procedimin penal nr.80, ka paraqitur për gjykim të pandehurin Nikollaq Taullaraj, 27 vjeç, lindur në Armen (Vlorë) dhe banues në Tiranë dhe i dënuar më parë për krimin e shitjes së lëndëve narkotike. Ai akuzohet për gjobëvënie në shumën 20000 euro, në dëm të shtetasit G.H., kryer në bashkëpunim me një person ende të paidentifikuar. Gjithashtu akuzohet për shtrëngim me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, në shumën 500000 lekë, në dëm të shtetasit Xh.H. Akuza e tretë që rëndon ndaj tij është gjobëvënie për dhënien e pasurisë në vlerë 24000 lekë, në dëm të shtetasit D.H. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, gjobëvëniet e mësipërme kanë ndodhur në Vlorë, nga data 22 deri më 26 dhjetor 2009.
Hetimet
Prokuroria thotë se në datën 23 dhjetor 2009, në regjistrin e njoftimit të veprave penale është regjistruar procedimi penal nr.80, në ngarkim të personave ende të paidentifikuar, për krimin e shtrëngimit me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, në dëm të disa shtetasve. “Nga hetimet e kryera dhe të dhënat me vlerë provuese si dhe provat e mbledhura, në përfundim të veprimeve të nevojshme hetimore rezultoi se në Vlorë, në data të ndryshme midis 22 dhe 26 dhjetorit 2009, disa sipërmarrës me veprimtari në këtë rreth, të cilësuar më sipër si personat e dëmtuar nga krimi i kryer prej të pandehurit, janë kanosur për dhënien e pasurisë me anën e SMS-ve dhe thirrjeve telefonike” thuhet në dosjen e prokurorisë drejtuar Gjykatës së Krimeve të Rënda. Në këto raste, të dëmtuarit kanë kallëzuar faktet në dëm të tyre në polici, e cila e referoi veprën penale të kryer në Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë, që procedoi me urdhërimin e policisë gjyqësore për kryerjen e veprimeve të nevojshme dhe me vënien në përgjim të disa numrave telefonikë celularë.
Gjobëvëniet
Nga hetimet e prokurorisë dhe policisë, në datën 26 dhjetor 2009, në zyrën e shitjeve të shoqërisë “Beton Vlora”, te një objekt në ndërtim, i pandehuri Nikollaq Taullaraj u paraqit për të zhvatur shumën prej 500000 lekësh, për të cilën ishte rënë dakord që t’i dorëzoheshin pas tratativave të vazhdueshme telefonike me të dëmtuarin Xh.R. Në këtë moment kanë ndërhyrë operatorët në terren të policisë gjyqësore, të cilët e arrestuan atë në flagrancë të krimit për të cilin është akuzuar. “Si burime të provës dhe të dhëna me vlerë provuese në këtë proces shërbejnë procesverbalet e kallëzimit të krimit të kryer, deklarimet e personave të dëmtuar, të cilët do të thirren në gjyq në cilësinë e dëshmitarit dhe të dhënat e marra nga pyetja e personit të akuzuar”, thanë burimet nga prokuroria. Sipas tyre janë dokumentuar të tria rastet e tentativës së gjobëvënies, të cilat janë realizuar brenda një jave. Biznesmenët kishin bërë denoncimin përkatës në polici dhe prokurori e menjëherë është ngritur një strukturë e përbashkët. Strukturat e hetimit të policisë së Vlorës dhe prokurorët e Krimeve të Rënda kanë organizuar operacionin e koduar “TARGET”. Hetuesit janë lidhur me biznesmenët, duke u dhënë instruksionet përkatëse si të vepronin me gjobëvënësit.