E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parashikimi i zviceranëve: Katastrofa rrezikon 300 mijë banorë

Digat e hidrocentraleve kryesore në veri të vendit janë të pasigurta dhe në një të ardhme shumë të afërt mund të rrezikojë seriozisht jetët e banorëve. Ky është në thelb raporti i përgatitur nga SECO (Sekretariati Zviceran i Shtetit për çështjet Ekonomike), referuar situatës në vitet 2008-2009. Raporti i hartuar për llogari të qeverisë shqiptare (KESH) dhe me kosto prej 1 milion e 500 mijë franga, vë në dukje problemet në kaskadat Drin dhe Mat, mbi të cilët janë ndërtuar hidrocentralet më të mëdha në vend. Edhe pse i referohet inspektimit të kryer në 2008, 2009-n, SECO parashikonte se në të ardhmen, vendi do të rrezikohej seriozisht nga katastrofat. “Gjendja e tanishme e sigurisë së digave është e pasigurt dhe një fatkeqësi me përmasa masive mund të konsiderohet e mundshme në një të ardhme jo të largët nëse gjërat do të lihen të përkeqësohen më tej”, citon raporti.
Zvicra financoi një shumë prej 250 mijë frangash për studimin mbi sigurinë e digave mbi kaskadën e lumenjve Drin dhe Mat, i cili u krye nga “Power Energy Ltd”. Në korrik të vitit 2006, studimi për sigurinë e digës tregoi se do të nevojitej një fond prej rreth 200 milionë eurosh për të rritur sigurinë e digave shqiptare sipas standardeve europiane.
“Objektivi strategjik i këtij studimi fizibiliteti për sigurinë e digës është të kontribuojë në sigurinë e digave të Shqipërisë me qëllim mbrojtjen e 300 mijë njerëzve që banojnë në vendet poshtë këtyre digave, si dhe për të garantuar një prodhim të qëndrueshëm të energjisë nga hidrocentralet, që rrjedhimisht çon gjithashtu në sigurimin e investimeve të bëra nga Zvicra në PRKLD”, thuhet në një pjesë të raportit.
Objektivat e projektit për studimin e fizibilitetit mbi sigurinë e digave ishin përgatitja e një programi për sigurinë e digave, ku të përfshihen të gjitha masat e nevojshme për të rritur sigurinë e tyre në Shqipëri sipas standardeve europiane me financim të disa donatorëve, si edhe identifikimi dhe strukturimi i një projekti të mundshëm në të ardhmen në fushën e monitorimit të digave që do të mbështetet nga Zvicra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›