Aksidenti i merr jetën të riut, vdes rrugës për në spital
Dy të rinj ndërruan jetë në dy ditë në qarkun e Elbasanit për shkak të humbjes së kontrollit nga shpejtësia
PEQIN - Humbja e kontrollit të mjetit i ka kushtuar jetën një të riu teksa udhëtonte me mjetin e tij tip "BMV" në aksin rrugor Peqin-Elbasan në vendin e quajtur kryqëzimi i Çengelajt. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 kur Mendian Dedi, 26 vjeç, me banim në Pajovë, ka humbur kontrollin e mjetit me targa të huaja AM 511 JU dhe për pasojë ka përfunduar i përplasur me një bordurë anësore. Edhe pse ai është trasportuar menjëherë drejt spitalit të Elbasanit, për të riun nuk ka pasur asnjë mundësi duke gjetur vdekjen rrugës.
Sipas të dhënave nga policia rrugore e mbërritur në vendin e ngjarjes, aksidenti dyshohet të ketë ardhur nga shpejtësia tej normave të lejuara. Gjithsesi, një grup hetimor po vijon hetimet. Brenda 48 orësh, 26-vjeçari përbën viktimën e dytë nga aksidentet në qarkun e Elbasanit. Pasditen e së shtunës një aksident me pasojë vdekjen u regjistrua në aksin nacional Gramsh-Elbasan në afërsi të komunës Pishaj. Mjeti me targa greke KOK3839 i drejtuar nga shtetasi Agim Paprri, humbi kontrollin dhe u përplas me një mur anësor dhe më pas nga forca e madhe u rikthye sërish në rrugë. Përplasja ishte fatale për pasagjerin Alfred Deda, 29 vjeç, me banim në fshatin Pishaj.