Kundërshton policinë me dhunë, vihet në pranga 32-vjeçari
GJIROKASTËR- Kundërshton me dhunë punonjësit e policisë dhe vihet në pranga. Një 32-vjeçar nga Gjirokastra, punonjës në një lokal, është arrestuar në orët e para të mëngjesit të së dielës pasi është bërë protagonist i një ngjarjeje me uniformat blu. Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se kanë qenë qytetarët, të cilët me telefonatat e tyre të mbërritura në sallën operative janë ankuar në lidhje me shqetësimin që po iu krijohej pas mesnate nga muzika e lartë dhe zhurmat që vinin nga një lokal, në qendër të lagjes "18 shtatori". Ndërkaq, mbërritja në vend e uniformave blu është shoqëruar me kundërshtimin e hapur nga shtetasi Arapi.
Burimet zyrtare të policisë së Gjirokastrës u shprehën se forcat e grupit të gatshëm së bashku me inspektorin e Policisë së Rendit i kanë kërkuar Arapit lejen nga bashkia për mbajtjen hapur të lokalit mbas orës 23:00 dhe masat e marra për eliminimin e zhurmave dhe të muzikës për të mos shqetësuar qytetarët. Por punonjësi i lokalit ka ofenduar dhe më pas i ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë. Ndodhur në këto kushte forcat e policisë kanë shoqëruar për në ambientet e komisariatit këtë shtetas dhe kanë bërë mbylljen e lokalit. Ndërkohë, në një njoftim për shtyp, Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër deklaron se do të nisin kontrollet në të gjitha lokalet në të tri rrethet, Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet, për intensifikimin e masave kundër ndotjes akustike, në zbatim të përparësisë së garantimit të rendit dhe sigurisë për komunitetin, si dhe nisur dhe nga telefonatat e qytetarëve.