Pranga 6 hajdutëve, vidhnin në qytet dhe në plazh
SHKODËR - Policia ka prangosur dje Klodian Sinajn dhe Abedin Bajraktarin. Ndalimi i këtyre dy shtetasve u bë për arsye se më 25 korrik të këtij viti, në bashkëpunim me njërin- tjetrin kanë vjedhur disa sende ari me vlerë 120 000 lekë, një aparat telefoni celular dhe një sasi prej 15 000 lekësh në lagjen "Vojo Kushi" të qytetit të Shkodrës. Shtetasit e lartpërmendur kanë qenë persona të shpallur në kërkim nga ana uniformave blu. Ndërkohë, një tjetër aksion i policisë së Shkodrës ka vënë në pranga shtetasit Valentin Sokoli, 17 vjeç, lindur në Bushat dhe banues në lagjen "Skënderbeg" në Shkodër, Besmir Gjoni, 17 vjeç, lindur në Fushë-Arrës dhe banues në fshatin Bardhaj të komunës Rrethina dhe Arbër Ndou, 16 vjeç, lindur në Laç dhe banues në lagjen "Skënderbeg" në Shkodër.
Shtetasit e lartpërmenduar kanë qenë të dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes. Arrestimi i tyre u krye pasi më 18 gusht, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, kanë vjedhur dy pushues në plazhin e Velipojës duke i marrë një sasi materialesh floriri me vlerë 100 000 lekë, si dhe dy portofolë me një shumë parash prej 11 mijë lekësh. Nga ana e forcave të policisë së Shkodrës janë kryer veprimet e duhura proceduriale dhe është bërë i mundur në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, identifikimi dhe kapja e këtyre shtetasve, si dhe dokumentimi me prova ligjore i vjedhjeve të kryera nga të lartpërmendurit.