Djali 17 vjeç plagos të dashurin e nënës
Djali 17-vjeçar plagos me pistoletë të dashurin e nënës. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 20:00 në qytetin e Vlorës. Një adoleshent ka qëlluar me pistoletë një 45-vjeçar, për të cilin kishte marrë vesh se kishte një lidhje intime me të ëmën. I.R. 17 vjeç, lindur e banues në Vlorë i ka kërkuar takim 45-vjeçarit Gramoz Beqiraj, i cili ka pranuar. Pasi kanë debatuar në anë të rrugës së Skelës, pranë vendit të quajtur Kali i Trojës, 17-vjeçari ka dalë nga automjeti dhe ka qëlluar tre herë me pistoletë. Një nga plumbat ka bërë rikoshetë dhe ka plagosur në këmbë 45-vjeçarin. Adoleshenti është larguar me shpejtësi, ndërsa i lënduari është çuar në spitalin rajonal të Vlorës. Sipas të plagosurit, adoleshenti ka debatuar në telefon me të pasi ka marrë vesh marrëdhënien e të ëmës dhe më pas i ka kërkuar takim. Ai tha se adoleshenti nuk ka pasur për qëllim ta vriste, sepse nuk e ka shënjestruar, por një nga plumbat ka bërë rikoshetë në asfalt. 17-vjeçari është tashmë në duart e policisë, që bllokoi edhe armën e krimit.