E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthimi i kapitalizmit

Një spektër po qëndron mbi botë - kthimi i kapitalizmit. Në gjashtë muajt e shkuar, politikanët, biznesmenët dhe autoritetet kanë qenë të bindur se ne jemi në mes të një krize kapitalizmi që do kërkojë një transformim masiv dhe vite të tëra sforcoje për t‘u rregulluar. Asgjë s‘do jetë si më parë. "Një tjetër perëndi ideologjike ka dështuar", shkruante dekani i komentuesve financiarë, Martin Wolf, në "Financial Times". Kompanitë do të "ndryshojnë thelbësisht" mënyrën si funksionojnë, tha drejtori i "General Electric", Jeffrey Immelt.

"Kapitalizmi do të jetë ndryshe", u shpreh sekretari i Thesarit, Timothy Garner. Asnjë sistem ekonomik nuk mbetet i paqëndrueshëm, sigurisht dhe padyshim pas një kolapsi të thellë financiar botëror. Shumë ekspertë janë të bindur se situata nuk mund përmirësohet për shkak se zgjidhjet e tyre për problemin nuk janë zbatuar akoma. Shumë prej nesh duan të shohin më shumë ndëshkime, veçanërisht te bankierët e Amerikës. Thellë-thellë, të gjithë kemi një besim puritan se nëse ata nuk vuajnë një dozë të mirë dhimbjeje, ata nuk do të pendohen. Në fakt, ka pasur mjaft dhimbje, veçanërisht në industrinë financiare, ku dhjetëra mijëra punë në të gjitha nivelet kanë humbur.

Por, në mënyrë thelbësore tregjet nuk kanë të bëjnë me moralitetin. Ato janë sisteme të gjera, komplekse dhe nëse gjërat nuk stabilizohen sa duhet, ato lëvizin. Çdo krizë i ka bindur vëzhguesit se sinjalizon fundin e një panorame të re dhe të rrezikshme ekonomike. Por, shumë shpesh risitë u përshpejtuan në vitet që pasuan. Kriza e vitit 1987 thuhet se ishte produkt i një tregtie kompjuterësh, e cila është përhapur në mënyrë dramatike që atëherë. Kriza e Azisë Lindore ishte fundi i bisedave të gëzueshme për "tregjet në zhvillim", të cilat janë tashmë në qendër të zhvillimit botëror. Shpërthimi i flluskës teknologjike në vitin 2000 supozohej t‘i jepte fund ëndrrës së vrullit të internetit. Por, as kjo nuk ndodhi. Tani po dëgjojmë se kjo krizë është fundi i derivateve.

Robert Shiller, një nga të paktët që parashikoi këtë krizë, argumenton se ne kemi nevojë për më shumë derivate, për t‘i bërë tregjet më të qëndrueshme. Disa vite më vonë, sado e çuditshme që mund të duket, ne mund ta gjejmë veten të uritur për më shumë kapitalizëm, jo për më pak. Një krizë ekonomike e ngadalëson rritjen dhe kur vendet kanë nevojë për zhvillim, ato kthehen nga tregjet. Pas krizës së valutës meksikane dhe aziatiko-lindore ne pamë ritmin e reformave të tregut të shpejtohej. Nëse në vitet në vazhdim konsumatori amerikan mbetet ngurrues për të shpenzuar, nëse qeveria ankohet për ngarkesën e borxhit, nëse kompanitë nën pronësinë e qeverisë mbeten pesha të shtrenjta, atëherë aktiviteti i sektorit privat do të mbetet e vetmja rrugë për të hapur vende pune. E vërteta e thjeshtë është se me gjithë të metat e tij, kapitalizmi mbetet motori ekonomik më produktiv që kemi shpikur deri më sot.

Ashtu si thënia e Churchill-it mbi demokracinë, është forma më e keqe ekonomike, përveç gjithë të tjerave. Kapitalizëm do të thotë rritje, por gjithashtu mungesë stabiliteti. Sistemi është dinamik dhe i predispozuar të shkaktojë dëme të mëdha përgjatë rrugës. Për rreth 90 vjet ne jemi përpjekur të rregullojmë sistemin, ta stabilizojmë atë duke ruajtur energjinë e tij. Ne jemi në fillim të një tjetër serie përpjekjesh të tilla. Në ndërmarrjen e tyre është e rëndësishme të mbajmë në mendje se çfarë s‘ka shkuar mirë më parë. Ajo çfarë po kalojmë ne nuk është krizë kapitalizmi. Është krizë finance, demokracie, globalizimi dhe së fundmi etike. Financa ka një histori telashesh, që nga flluska e tulipanëve holandezë në vitin 1637 e deri tani. Shkaqet e përafërta të këtyre krizave kanë qenë të ndryshme, por kanë ndjekur pak a shumë të njëjtën rrugë. Në kohë të qeta, stabiliteti politik, rritja ekonomike dhe novacioni teknologjik inkurajojnë një atmosferë parash të shpejta dhe formash të reja kredie.

Kredia e lirë krijon babëzi, keqllogaritje dhe eventualisht shkatërrim. Presidenti Martin van Buren i përshkroi krizat ekonomike të vitit 1837 në Amerikë dhe Britani në këtë formë: "Dy kombe, më komercialet në botë, po shijonin shkallën më të lartë të prosperitetit të dukshëm, duke mbajtur me njëri-tjetrin marrëdhënie të afërta, tashmë janë përfshirë në një gjendje ankthi dhe turpërimi. Të dyja vendet kanë qenë dyshimtare të së njëjtës përhapje të parave në letër dhe lehtësirave të tjera të kredisë; i njëjti shpirt spekulimi, e njëjta katastrofë". Pjesa më e madhe e asaj që ndodhi në dekadën e shkuar në gjithë botën është e justifikueshme. Bankierët bënë atë që u lejonte ligji. Politikanët bënë atë që mendonin se u kërkonte sistemi. Burokratët nuk shkëmbenin para për favore. Por, shumë pak njerëz vepruan në mënyrë të përgjegjshme e të ndershme. Kjo mund të duket si një pikë e parëndësishme, por në fakt nuk është. Asnjë sistem - kapitalizëm, socializëm apo çfarëdo të jetë - nuk mund të punojë pa sens etik dhe vlera në thelb.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›