E Shtunë, 31 Tetor 2026

FUSHATA SI BESNIKERI TRANZICIONI

Kjo fushatë ka kosto, ka luks dhe zhurmnajë, por ka skepticizëm, dyshime dhe mistere. Financat e shpenzuara për këtë fushatë, sikurse në gjithë turet elektorale të tranzicionit vijues, nuk kanë për t‘u zbardhur ndonjëherë, ndonëse jemi në kohë krize dhe kur pjesa më autoritare e botës është vetëfutur në recesion financiar.

Tregtarët e vendit thonë se kriza e shprehur "në humbje të lekut", mbërrin pak muaj më vonë. Parathënës i kësaj gjendjeje duket se bëhet i pari shtypi ndërkombëtar. Disa prej gazetarëve kryesorë evropianë kanë paralajmëruar rrezikun mbërritës në vendet e rajonit tonë, përfshirë edhe Shqipërinë. Përkundër këtyre paralajmërimeve, qeveria është ngritur këmbëngulëse dhe optimiste, ndërkohë që dallueshëm prej opozitës, grupe të ndryshme ekspertësh kanë ripohuar afrinë e rrezikut me të sotmen dhe financat shqiptare. Shumëkush me të drejtë mund të thotë se, në fushatë, edhe frika edhe optimizmi janë pjesë e betejës, por ajo që pohojnë ekspertët është e vërteta që gjendet matanë foltoreve dhe tribunave shkëlqimtare. Matanë kësaj fasade, pra fushatës, kënga e vështirësive nuk mund të përballohet si këngët e porositura partiake.

Por ç‘do të jetë më ndryshe se sot pas 29 qershorit?

Liderët zëngjirur të fushatës kanë këngët e tyre, të cilat i paguan me financat e anëtarësisë partiake (hahaha, të ketë ndodhur kjo!). I ranë kryq e tërthor vendit, shkelën dhe zhurmuan gjithë qytetet, bërtitën si në këngën elektorale të 19 vjetëve dhe në 9 ditët e mbetura po u lëshojnë apele dhe këngë "majekrahi" njëri-tjetrit, duke aluduar për vjedhje, prekje dhe cenim të votave. Në këtë apel të tyre, mesa duket qëndron parathënia e vjetër e sherrit elektoral dhe e sherrit për votat. Por kush i rrezikon votat? Brigada të quajtura votëmbrojtëse po ngrenë partitë tona, sikundër nëpër skajet e fshatrave të harruara do të shtohen kërcënimet për moshyrje të filanit e të filanëve në fshatin X. Tamam si në periudhën e librit të pambaruar të Konicës. E njëjta brendi si në "Kryengritjen e Mamurrasit". Vepra e kryengritjes së pandodhur mbetka realitet në periudhën pas veprës së shkrojtur. Kjo profeci groteske shqiptare po e shëmton edhe më tepër imazhin e kulturës elektorale dhe atë të ndërgjegjes elektorale që kanë partitë dhe prijësit tanë. Kjo zhurmë e kjo skërmitje e shëmtoi edhe kësaj here besimin elektoral të individëve të kësaj shoqërie. Shumë pak qytetarë janë në gjendje sot të të flasin se ku ndryshon programi i qeverisë së Berishës së pas 29 qershorit, nga ai i qeverisë së Ramës, po në këtë periudhë.

U shkrojtën programet, por nuk u sqaruan dot ata. Debatet skërmitëse të nisura e të ndërprera me urdhër kryezoti nëpër ekrane, e bënë krejtësisht të pamundur krijimin e bindjes dalluese të programeve elektorale të të dyja partive kryesore. Vështirë do ta ketë gjithë kush pas 29 qershorit që të bëjë recensionin e pohimeve dhe devijimeve prej tyre, të zotit Rama, nëse do të jetë Kryeministër i vendit. Sikundër një vështirësi të tillë të verifikuar deri në pamundësi do ta rishijojmë edhe për kreun e demokratëve, Berisha. Nëpër rrugën e zigzag-ut elektoral, programet dhe paketat e tyre me projekte u humbën dhe u eklipsuan prej sherrit. Kjo ndodhi si në periudhat e egra të fushatave të tranzicionit tonë, kur për një mandat, "digjej" krejt koha e legjislativit, apo kur vendi ndahej në bastione dhe egërsia e pushtetdashjes bashkëjetonte me egërsinë dhe pashpirtësinë e krimit.

Historia e kësaj fushate elektorale nuk vlen për shumë mburrje, sepse ajo nuk solli përmbajtje dhe nuk po fiton betejën e besimit për shkak të projektit. Kjo është një fushatë pa histori ndryshe, ndonëse të dyja formacionet politike kanë sloganet "për ndryshim".

Kurrë ndonjëherë si sot, rezultatet e hamendësuara nuk kanë qenë kaq të ngushta, sikundër sondazhet kanë rezultuar po të tilla. Pse vallë kjo pamundësi kontrasti mes një qeverie me halle dhe me akuza të rënda dhe një opozite që ka vetëfilluar kapitullin e historisë së re politike?! Kjo dilemë mbetet pezull, jo vetëm në gjirin e elektoratit të saj, por sidomos në mendjen e të interesuarve për politikën shqiptare, brenda dhe jashtë vendit. Në këtë dilemë ka shumëçka prej thelbi dhe prej brendie. Këtë analizë kreu i opozitës do të duhej ta kishte në konsideratë qyshse kur filloi fushatën.

Në gjithë kohën elektorale të kësaj fushate, opozita e cilësuar me të drejtë si forca që kryeson proceset e brendshme parti-ndryshuese, nuk ka asnjë formatim të qëndrimeve politike e diplomatike për zhvillimet kombëtare, rajonale dhe sidomos ato ndërkombëtare. Ndonëse jemi shteti kryesor i hapësirës sonë kombëtare, sikundër mund të thuhet se jemi edhe në pikun e ndryshimeve gjeopolitike, ndonëse jemi në momente të reja zhvillimesh dhe gjeointeresash, sërish opozita jonë dhe kryesuesi i saj, Rama, në programin e tyre nuk shprehin asnjë qëndrim apo pikëpamje të risuar.

"Fjalë e huaj" për këtë fushatë ishte diplomacia me gjithë derivatet e saj në gojën e protagonistëve Berisha dhe Rama, si në foltoret, ashtu edhe në tribunat e shumta ku u mblodhën mijëra qytetarë, por edhe përfaqësues të pakicave, diplomatë, por edhe vëzhgues të vendeve fqinje. Pse vallë kjo shmangie? Ndonëse të dy kryesuesit janë aktorë të kontakteve intensive diplomatike me individë dhe institucione shumëpalëshe, ndonëse kjo qeveri e katër viteve që po mbyllen e ka pasuruar kalendarin e dialogut dhe ecejakeve diplomatike si rrallëkush tjetër më parë. Mos vallë është thjesht rezervë ndaj publikut apo neglizhim transparence?! Besoj se jo.

Kjo, dhe sa thamë më sipër, janë pjesë e ndërgjegjes autoritare të udhëheqësisë sonë majtas-djathtas, e cila e do elektoratin për pushtet, pavarësisht prej projektit dhe programit. Dashuri të tilla pa projekte janë veçse besnikëri ndaj tranzicionit. E tillë në tërësinë e vet është edhe kjo fushatë, së cilës i kanë mbetur 9 ditët e fundit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›