E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti i trefishtë shkakton 3 të plagosur



ELBASAN - Tre persona mbetën të plagosur të premten pasdite si pasojë e një aksidenti që ndodhi në aksin rrugor Elbasan - Peqin, në të cilin u përfshinë tre automjete. Aksidenti ndodhi rreth orës 18:00 të ditës së djeshme në fshatin Broshkë, ku një mjet me targë të Durrësit si pasojë e shpejtësisë, u përplas me mjetin me targa KO 4396 B, ndërsa mjeti me targë të Tiranës, për t'iu shmangur përplasjes devijoi, duke përfunduar në arën që ndodhej shumë pranë rrugës. Sipas burimeve zyrtare të policisë të plagosur në këtë aksident mbetën Hasan Bitri, 59 vjeç dhe mbesa e tij Fitnete Bitri, 23 vjeç, lindur e banues në Librazhd, të cilët udhëtonin në mjetin me targë TR 3486, dhe shtetasi Leonard Hoxha, 37 vjeç, me banim në Berat, i cili udhëtonte në mjetin me targa DR 7975 C.
Sipas burimeve, tre të lënduarit janë shtruar në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku në gjendje më të rëndë shëndetësore ndodhet 23 vjeçarja Bitri. Policia ndaloi tre drejtuesit e mjeteve për aksidentin e ndodhur.

Zjarri përfshinë territorin shqiptaro-grek, ndalohet 80-vjeçari

GJIROKASTËR – Rikthehen vatrat e zjarrit në Gjirokastër, të cilat janë përhapur edhe në territorin grek, për të cilat është ndaluar një 80—vjeçar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se dje, rreth orës 16.30, në vendin e quajtur Gryka e Bogazit , e cila ndodhet midis fshatit Radat dhe Peshkëpi, Gjirokastër, në kullotat e këtyre fshatrave ka rënë zjarr, ku njëra prej vatrave ka kaluar në territorin grek.
Forcat zjarrfikëse, ato të policisë dhe të pyjores përreth 3 orë kanë bërë të mundur lokalizimin e zjarrit. Në ndihmë kanë ardhur edhe 2 helikopterë grekë të cilët janë furnizuar me ujë në liqenet artificiale të Radatit dhe kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit në territorin tone rreth orës 20.00 të mbrëmjes. Zjarri në tokën Greke vazhdon akoma dhe për shuarjen e tij po punojnë helikopterët. Si pasojë e zjarrit janë djegur në territorin tonë rreth 4 hektarë kullotë. Burimet policore bëjnë të ditur se është shoqëruar shtetasi Vasil Panajot Suloti, 80 vjeç, i cili ishte me bagëti në vendin ku ka rënë zjarri. Ai ka deklaruar se zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije elektrike, pasi në atë vend kalonin shtyllat elektrike që furnizojnë me energji fshatin Radat. Si pasojë e erës së fortë zjarri është përhapur me shpejtësi ku nuk ka mundur dot ta shuaj dhe për këtë ka kërkuar ndihmë.

19 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›