PS: Mbështesim rrugën “Durrës-Kukës”, por jo abuzimet e qeverisë në të
Partia Socialiste reagon ndaj deklaratave të kryeministrit Sali Berisha, i cili i referohet ndërtimit të rrugës “Durrës-Kukës” si sukses të qeverisë së tij. Deputeti i PS-së Taulant Balla akuzoi kryeministrin Berisha, se po përpiqet të shfaq si sukses ndërtimin e një rruge, në të cilën ai dhe qeveria e tij kanë abuzuar me një shumë stratosferike prej 350 milion eurosh.
“Është rasti unikal në botë që një Kryeministër dhe një Qeveri, mundohet të shesë për sukses një ndër vjedhjet më të mëdha të fondeve publike. As më shumë dhe as më pak, por afro 350 milionë euro. Ne si Parti Socialiste kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë mbështetës të këtij aksi rrugor që lidh portin më të rëndësishëm shqiptar me Kosovën, por nuk mund të pranojmë që mashtrimet me projektet dhe kostot e pavërteta, të mbulohen me deklarata në emër të patriotizmit. Nuk mund të pranojmë që Sali Berisha, miku i kahershëm i Milloshevicit dhe Bullatovicit, që furnizonte me benzinë makinerinë vrasëse serbe, të përdorë patriotizmin, aspak për hir të atdhetarizmit, por vetëm me qëllimin e fshehjes dhe manipulimit publik të vjedhjes së shekullit. Është mjaft e qartë që patriotizmi në dukje, është alibia e vetme e korrupsionit real”, deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla.
19 Korrik 2008