MEICO lidhi kontratë me kryetrafikantin e ballkanit
Habjon Hasani
Njeriu që korrespondon me të dhënat zyrtare (email, numër telefoni) të firmës ”Evdin Ltd” quhet Adnan Sarajliç dhe është ”dora e fortë” në Ballkan e trafikantit ndërkombëtar Henri Tomei. Revista boshnjake ”DANI” në një artikull të pak ditëve më parë ka mundur të zbulojë detaje me vlerë lidhu me njeriun që menaxhonte firmën fantazëm që e ktheu Shqipërinë në epiqendrën e skandalit ndërkombëtar të armëve. Gazetari boshnjak E. Hecimovic, ka mundur të kontaktojë menaxherin e firmës “Evdin ltd” Adnan Sarajliç, ndërsa bashkëpunëtorë të vjetër të Sarajliçit në Bosnje si dhe autoritetet e inteligjencës së këtij vendi kanë ofruar të dhëna të tjera lidhur me të kaluarën dhe rolin e Sarajliçit në skandalin që përfshiu dhe Shqipërinë. Pasi është kontaktuar nga gazetari, menaxheri i ”Evdin ltd”, Sarajliç, ka kërcënuar se keqinterpretimet në media dhe artikujt kundër tij dhe firmës ”Evdin ltd” do ta detyronin atë të hapte gjyq ndërkombëtar ndaj mediave që e kanë përmendur. ”Nuk dua të flas me telefon. Pyetjet duhet të mi dërgoni me email, por nuk mund t’iu përgjigjem para ditës së mërkurë apo të enjtes. Këshilla ime është që ju të mos shkruani asnjë gërmë se do të ketë një gjyq të madh ndërkombëtar për të gjitha mediat që njollosën dhe dëmtuan kompaninë tonë”, -është përgjigjur Sarajliç. Më tej i pyetur në telefon lidhur me faktin se cili ishte Henri që rezultonte si pronar i kësaj shoqërie, Sarajliç ka mbyllur çdo shteg duke e kthyer në tabu përmendjen e faktit se pronar rezultonte trafikanti ndërkombëtar Henri Tomei. ”Jo jo jo. Unë nuk i përgjigjem kësaj pyetjeje. Nuk i përgjigjem. Absolutisht jo.”, - ka deklaruar Sarajliç.
Kontakti i ballkanit
Adnan Sarajliç duket se përfaqëson një pikë të fortë referimi për trafikun e armëve nga ballkani. Në bazë të artikullit të revistës “DANI” ai është skeduar prej disa vitesh si trafikant ndërkombëtar armësh. Mendohet se Sarajliç ka marrëdhënie të ngushta me “lordët e trafikut” që lindën në Bosnjen e pasluftës dhe që kontrollonin eksportin e armëve nëpërmjet Bosnjes, duke shfrytëzuar linjat e vjetra të trafikut të cilat i kishin krijuar përgjatë konfliktit të armatosur në Bosnje. Deri më sot organizata më e fuqishme në trafikun e armëve në Bosnje njihet ajo e cila drejtohej nga Hasan Çengiç(ish ministër i mbrojejtes në Bosnje, me lidhje të ngushta me botën islamike), e mbiquajtur si “Qarku Boshnjak. Megjithatë, nuk ka ndonjë të dhënë faktike se Adnan Sarajliç menaxher i firmës “Evdin ltd” ka qenë anëtar i kësaj linje. Por lidhjet e Sarajliçit duhet të jenë vërtet të forta nëse i referohesh artikullit të “DANI” i cili e paraqet Sarajliçin si “çelësin magjik në Ballkan” të trafikantit ndërkombëtar Tomei. Madje dy ditë pas publikimit të rolit prej sekseri që kishte firma fantazëm “Evdin ltd” në Shqipëri, mësohet se në Bosnje autoritetet amerikane dhe ato boshnjake kryen pesë arrestime për trafik armësh dhe terrorizëm. Por deri më sot nuk është bërë publike ndonjë lidhje shkakësore mes këtyre ngjarjeve
Ortakët
Sipas revistës “DANI”, Adnan Sarajliç dhe Henri Tomei patën bashkëpunimin e parë të tyre për herë të parë nëpërmjet kompanisë së Sarajliç të quajtur ”SHOT ltd” në Zenik, Bosnje. “Henri Tomei i cili ishte bashkëpronar i kompanisë tjetër “BT Internacional”, çonte municionet në Zenik ku firma e Sarajliç kryente stampimin. Në këtë mënyrë Tomei e angazhoi për herë të parë Sarajliçin të punonte për të”-shkruan revista e cila i referohet një burimi që ka bashkëpunuar dhe njeh nga afër këta dy personazhe në Bosnje Hercegovinë. Më pas “DANI” thekson se sipas disa dëshmive të ndryshme Sarajliç është hetuar për vite me rradhë në shtete të ndryshme për eksportin e armëve nga Bosnje Hercegovina. “Nga ana tjetër Henri Tomei në cilësinë e bashkëpronarit të firmës “BT Internacional” pagoi 6.3 milionë euro duke bërë pronë të tijën fabrikën qendrore të prodhimit të armëve të quajtur “4 NËNTORI” dhe që ndodhet në Mojkovic, në Malin e Zi. Pasi e kaloi në pronësinë e tij Tomei i ndryshoi emrin kësaj fabrike duke e quajtur “Prodhimet për mbrojtje TARA”, me qendër në Mojkovic. Fill pas ndryshimit, u hapën dhe tre adresa elektronike për prodhimet e kësaj fabrike. Por porsa kjo fabrikë kaloi në pronësinë e Tomeit, Adnan Sarajliç e zhvendosi firmën e tij “Evdin ltd” në Mojkovic të Malit të Zi”, - shkruan “DANI”. Por më tej artikulli hedh dritë mbi faktin se Tomei i kërkoi Adnan Sarajliç-it të rikthehej në Bosnje e të shfrytëzone lidhjet e tij për të shitur armët që prodhonte ai në fabrikën e re që kishte blerë. “Megjithatë burime tejet të afërta me dy personazhet në fjalë saktësuan se Tomei i kërkoi Adnan Sarajliçit të rikthehej në Bosnje, pasi Henri Tomeit i interesonin shumë kontaktet e vjetra të Sarajliçit në Bosnje për të shitur produktet që ai prodhonte në Mojkovic të Malit të Zi”,- përfundon artikullin revista “DANI”, e cila më tej shton dhe faktin se ende në Bosnje nuk ka një hetim zyrtar për rolin e kësaj firme.
Adnan Sarajliç, menaxher edhe për “Garietta ltd”
Adnan Sarajliç, personai që krijoi firmën ”Evdin ltd”, në të njëjtën ditë krijoi dhe firmën ”Garietta ltd”. Njësoj si firma ”Evdin ltd”, edhe “Garietta” rezultonte me seli në Qipro dhe me të njëjtët numra telefonikë boshnjakë, si të “Evdin”: 00387 62 94 24 52 (që është numër celular) dhe 00387 32 40 72 72, i fikur prej ditësh. Ekzistenca e shoqërisë së dytë fantazmë është zbuluar nga media pak javë më parë ku “Evdin Ltd” deklaron adresë të sajën numrin 1 në rrugën “Thermophylon”, në Larnakë, ndërsa “Garietta” zgjedh si adresë false adresën: “Lord Byron Street”, numër 33, gjithnjë në Larnakë. Në këtë adresë ndodhet selia e një banke. Që të dyja shoqëritë janë identike, me një “drejtor”, emri i të cilit ndryshon vetëm me ndonjë germë, por që kanë dhe e-mail të njëjtë. Pambos Fellas quhet drejtori i “Evdin ltd”, ndërsa Pampos Felas ai i “Garietta Lld”. Emra plotësisht të panjohur dhe anonimë. Por krijimi i dy firmave të ndryshme nuk është edhe aq rastësi nëse u referohesh rasteve të trafiqeve. Është një formulë klasike tashmë që për të humbur gjurmët krijohen dy firma, njëra për të justifikuar ndërhyrjen (”Evdin lid”), ndërsa tjetra për të marrë dërgesat e fitimeve të paligjshme (”Garietta ltd”). Ndoshta nuk është thjesht rastësi që firma e dytë e krijuar, me të njëjtën adresë që kishte dhe firma që kontraktoi shteti shqiptar, i korrespondonte adresës së një banke. E për më shumë në një bankë të Qipros, shtet i njohur për sistemin e tij off-shore (jashtë kontrollit) bankar.
Pagesat, përfitimi i “Evdin” gati i njëjtë me të “MEICO”-s
Tre javë më parë ”Albania” publikoi të gjitha pagesat e bëra nga firma “AEY” në drejtim të ndërmarrjes “MEICO”, nga qershori deri në dhjetor të vitit 2007. Kjo periudhë korrespondon me përpikëri me periudhën kur në lojë hyri dhe firma ”Evdin”. Totali i këtyre pagesave për “MEICO”-n shkonte gjithsej në 10 milionë dollarë. Në kushtet kur dihen dhe të dhënat e kontratës mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe firmës “Evdin”, atëherë përllogaritja e fitimeve kthehet në një kalkulim të rëndomtë aritmetik. Në këtë mënyrë përllogaritet se ndërmarrja “MEICO” fitoi rreth 10 milionë dollarë nga ngarkesat duke shitur me 22 dollarë/1 mijë fishekë. Sakaq, firma “Evdin” kishte (në bazë të kontratës) marzhin e saj prej 18 dollarësh/1 mijë fishekë. Në bazë të raportit të fitimit 18/22, del e qartë se firma ”Evdin ltd” ka arritur të fitojë rreth 8.1 milionë dollarë duke mos bërë asgjë. Ky natyrisht që është një dëm dhe një vjedhje e faktuar, por askush nuk mund të sigurojë se ngarkesa të tëra mund të mos jenë deklaruar nga “MEICO” dhe vjedhja mund të jetë edhe më e madhe në këtë rast. Në kushtet kur Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka deklaruar se i ka lëvruar gjithsej 60 milionë dollarë (për blerjet në Shqipëri) Efraim Diverolit, atëherë mund të përllogaritet dhe fitimi i këtij të fundit (pa llogaritur transportin etj.), i cili është rreth 42 milionë (nga 60-a zbritet fitimi i “MEICO”-s dhe ”Evdin ltd”) dollarë.
19 Korrik 2008