E Diel, 1 Nëntor 2026

Dobjani: “Kërkesat e ish-ushtarakëve për pensionet të përfshihen në Status”



Laureta Rryçi

Qeveria megjithë nismën që po ndërmerr për disa ndryshime mbi Statusin e Ushtarakëve sërish nuk ka marrë parasysh pretendimet e tyre. Madje, edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i dhënë 18 muaj më parë vazhdon të mos zbatohet po nga kjo qeveri. Në këtë konkluzion ka mbërritur Avokati i Popullit, Ermir Dobjani i vënë në lëvizje për këtë çështje pas ankesës së mbërritur nga Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë. Burime pranë Zyrës së Avokatit të Popullit, pohuan për gazetën “Albania” se pasi është shqyrtuar nga specialistët relacioni i fundit i qeverisë mbi Statusin e Ushtarakëve janë vërejtur se mungojnë shumë nga pretendimet dhe të drejtat që iu takojnë ushtarakëve në rezervë apo në lirim. Përballë kësaj situate, Dobjani i ka kërkuar specialistëve të tij që të përpilojnë shtesat që duhet të kishte realisht projekt-ligji për t’ia dërguar më pas Komisionit të Ligjeve. Sipas Dobjanit ushtarakëve nuk duhet t’iu ndryshojë mosha për të përfituar pension apo të disktretitohen duke u ndarë në dy grupe. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë shkresën e plotë zyrtare që Dobjani iu ka nisur autoriteteve shtetërore dhe po boton një pjesë të saj në numrin e sotëm.
Rekomandimi
“Duke analizuar relacionin shpjegues të këtij projekt ligji konstatojmë se: Relacioni shpjegues, nuk përputhet me dispozitat e dhëna në vetë projekt-ligjin. Në relacion gjejmë të pasqyruar përpjekjet për të shpjeguar se në projekt-ligj janë përmbushur kërkesat e vendimit të sipërcituar të Gjykatës Kushtetuese, por nga studimi i projekt-ligjit nuk rezulton kështu, pasi nuk gjenden dispozita të posaçme që evidentojnë këtë gjë. Si në këtë relacion, ashtu edhe në këtë projekt-ligj, nuk janë pasqyruar drejtë dhe në mënyrë eksplicite kërkesat e Vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Relacioni shpjegues nuk paraqet përpjekje serioze dhe korrekte për të shpjeguar plotësimin e detyrimit që rrjedh nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Në të konstatohet vazhdimi i cenimit të parimit të sigurisë juridike, pasi në projekt-ligjin e dhënë, vazhdon të ulet masa e pensioneve të ushtarakëve në raport me atë të përcaktuar ne Ligjin nr. 9418 datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë”. I vetmi rregullim që del qartë në relacionin shpjegues të këtij projekt-ligji, është ai i njohjes si vjetërsi shërbimi për efekt të pensionit suplementar si ushtarak, e të gjithë kohës së dënimit apo internimit për motive politike. Në relacionin shpjegues, lidhur me problemin e diferencimit të ushtarakëve, bëhet arsyetimi se cili është shkaku për këtë diferencim. Ky arsyetim është se ushtarakët aktual përveç të drejtës për të përfituar pension në një moshë më të madhe, derdhin edhe një kontribut 2% të pagës bruto. Pra qëndrimi i relacionit edhe në këtë pikë është i gabuar po të ballafaqohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili dispozitën që ka bërë këtë diferencim e shpall antikushtetuese dhe për rrjedhojë nuk lë shteg për qëndrime ekuivoke. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka trajtuar si të papajtueshme me Kushtetutën ndarjen e ushtarakëve në dy grupe, për efekt të trajtimit me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në rast punësimi, ashtu siç parashikohet në nenin 1, të Ligjit nr. 9481 datë 16.02.2006 “Për disa ndryshime në Ligjin nr. 9418 datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë”.
Korrigjimet në projekt-ligj
Në pikat 1 dhe 2 të nenit 8, të Ligjit nr. 9418 datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, parashikohet se: “-Paga referuese, për efekt të përfitimeve nga ky ligj, përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit, së bashku me shtesat, që përfiton ushtaraku i së njëjtës gradë në çastin e lindjes së të drejtës së përfitimit.
-Për ushtarakun, që ka dalë në rezervë ose në lirim, para apo pas datës së shtrirjes së efekteve financiare të këtij ligji dhe e drejta për të përfituar i lind pas kësaj date, paga referuese për efekt të përfitimeve nga ky ligj përbëhet nga paga bazë, së bashku me shtesat që ka ushtaraku aktiv, në po atë funksion ose gradë, në çastin që i lind e drejta për të përfituar”. Sipas nenit 2 të projekt-ligjit, në nenin 8 pas pikës 3, shtohet një pikë me këtë përmbajtje: “Për efekt të përllogaritjes së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, paga referuese përbëhet nga paga bazë së bashku me shtesat që përfitohen nga ushtaraku i të njëjtës gradë në momentin e lindjes së të drejtës për pension dhe përllogaritet si mesatare e pagave referuese sipas viteve të qëndrimit për çdo gradë apo funksion. Rregullat e përllogaritjes së pagës mesatare referuese për gjithë karrierën përcaktohen me VKM”. Sipas projekt-ligjit, në piken 1, të nenit 3 të tij përcaktohet se: “-Në nenin 12 pika tre në fund shprehja “të indeksuara në koeficientin e indeksit të pensioneve”, të zëvendësohet me shprehjen “e indeksuar me koeficientet e indeksimit të bazës së vlerësuar”. Në piken 3, të nenit 12 të Ligjit nr. 9418 datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, parashikohet se: “Periudha e trajtimit me pagesë kalimtare, për efekt të zbatimit të Ligjit nr. 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, njihet si periudhë sigurimi. Kontributi për këto kategori përballohet nga Buxheti i Shtetit dhe derdhet mbi bazën e pagës referuese, mbi të cilën është llogaritur pagesa kalimtare, por, në çdo rast, brenda kufijve të pagës minimale dhe maksimale, të indeksuar me koeficientet e indeksit të pensioneve”. Pikëpyetja që shtrohet me këtë ndryshim të përcaktimit që kërkohet të bëhet sipas projekt-ligjit, është nëse koeficienti i indeksimit të bazës së vlerësuar, në krahasim me përcaktimin e dhënë “koeficientet e indeksit të pensioneve”, përbën, apo passjell cenim të parimit kushtetues të sigurisë juridike, apo jo. Sikundër është shprehur ne vendimin nr. 9 date 26.02.2007 të Gjykatës Kushtetuese; “Si rregull, nuk mund të mohohen interesa dhe pritshmëri të ligjshme të qytetarëve nga ndryshimet në legjislacion dhe shteti duhet të synojë të ndryshojë një situatë të rregulluar më parë vetëm nëse ndryshimi sjell pasoja pozitive, konkretisht trajtim më të mirë financiar për subjektet përfituese”. Nëse koeficienti i indeksit të pensioneve është më i lartë se ai i indeksimit të bazës së vlerësuar, sikurse jepet në projekt-ligj, atëherë kemi të bëjmë me cenim të parimit kushtetues të sigurisë juridike. Gjykojmë se përcaktimi i bërë në projektligj, duhet të analizohet në këtë frymë dhe në përputhje me vendimin e sipërcituar të Gjykatës Kushtetuese.

Papajtueshmëria

Në pikën 2, të nenit 3 të projekt ligjit, thuhet se: “Shtohet pika 4 me këtë përmbajtje: Për të gjithë ushtarakët që kanë dalë në rezervë a në lirim periudha e trajtimit financiar sipas vendimeve të KM nr. 225 datë 29.05.1992 dhe nr. 7 datë 10.01.1996, njihet si periudhë sigurimi për efekt të zbatimit të Ligjit nr. 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”. Kontributet llogariten në bazë të pagës mbi të cilën është llogaritur trajtimi financiar, e indeksuar me koeficientin e indeksimit të bazës së vlerësuar për të gjithë periudhën. Fondet për pagesat e kontributeve jepen nga buxheti i shtetit në vartësi të numrit të personave që përfitojnë pension. Paga mbi të cilën është llogaritur trajtimi financiar, kur zgjidhet nga ushtaraku, merret edhe si page bruto për efekt të llogaritjes së pensionit të pleqërisë dhe pensionit suplementar. 4. Ajo çka bie në sy në përmbajtjen e nenit 5 te projekt- ligjit është se, ndryshon nenin 14 te Ligjit nr. 9418 datë 20.05.2005, në këto momente: -referon nenin 13 të ndryshuar sipas projekt-ligjit, si kusht për përcaktimin e masës së pensionit të parakohshëm. -shtohet nocioni i pagës referuese mesatare. -masa e pensionit të parakohshëm zvogëlohet nga maksimumi, katërfishi i pensionit bazë (sipas nenit 14 ekzistues në ligj), në dyfishin e pensionit bazë. E njëjta logjikë me një shtesë prej 2% të pensionit maksimal për çdo vit që ushtaraku ka paguar kontribute shtesë, ndjek përcaktimin e bërë në germën i, të projekt-ligjit. Ka një reduktim të përcaktimeve të mëtejshme të dhëna në projekt-ligj, krahasuar me përcaktimet aktuale në ligj.

Përplasjet në projekt-ligj

Në këtë projekt-ligji parashikohet që mosha për të përfituar
një pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, bëhet 47 vjeç për gratë dhe 52 vjeç për burrat. Ky formulim ka përkeqësuar kushtet e përfitimit të pensionit të parakohshëm. Konkretisht në nenin 4 të projekt ligjit thuhet që: “Neni 13 ndryshon si vijon: Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë/lirim, deri në plotësimin e kushteve për pension të plotë pleqërie, sipas ligjit nr. 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën e paracaktuar në nenin 14 të këtij ligji, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit ushtarak, në masën 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt dhe kanë mbushur moshën 47 vjeç femrat dhe 52 vjeç meshkujt. Në radhë të parë, vërehet se në mënyrë krejt të pajustifikueshme, projekt-ligji ngre moshën e përcaktuar për daljen në pension të parakohshëm si për femrat ashtu edhe për meshkujt, përkatësisht me nga 3 dhe 5 vjet. Nga ana tjetër këtu shtohet kriteri i paracaktimit duke referuar nenin 14 të ligjit, ndërkohë që vetë neni 14 i ligjit ka pësuar ndryshime të tjera që cenojnë parimin e sigurisë juridike dhe vijnë në kundërshtim me frymën dhe përcaktimet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.”

Problemet që duhet të zgjidhë projekt-ligji që është në shqyrtim

1. Njohja si periudhë e vjetërsisë së shërbimit, periudhën nga viti 1992 deri në vitin 1998, duke derdhur në buxhetin e shtetit kontributet për sigurimet shoqërore

2. Njohjen e të drejtës për t’u punësuar pas daljes në rezervë, apo në lirim

3. Mosbërja e diferencimit midis ushtarakëve të dalë në rezervë, apo lirim, sipas periudhave që ata përfitojnë të drejtën e pensionit

4. Moscenimi i të drejtave që ata kanë fituar me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.9418 datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

5. Moslejimin që nëpërmjet projekt ligjit të ri të bëhet ulja e masës së pensionit. Për këtë Gjykata Kushtetuese është shprehur qartë në vendimin e saj, kur thotë se: “E drejta për pension është një e drejtë që përfshihet në grupin e të drejtave ekonomiko- sociale ëe për nga natyra, janë të drejta pozitive”.

19 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›