E Diel, 1 Nëntor 2026

Prangoset i shumëkërkuari, vrau fqinjin 9 vjet më parë

Policia arreston Prekë Prekën për ekzekutimin e Ded Vavacit. Gjykata e Shkodrës e dënoi autorin e krimit me 22 vjet burg

SHKODËR – Një tjetër dosje e vjetër kriminale është zbardhur në rrethin e Shkodrës duke vënë në pranga autorin e një vrasje të ndodhur 9 vjet më parë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se ditën e premte, rreth orës 09:00, si rezultat i një operacioni të mirë-organizuar nga efektivat e rendit u bë e mundur kapja e shtetasit, Prekë Preka, lindur dhe banues në fshatin Vile të komunës së Temalit. Sipas zëdhënëses së Policisë së Qarkut, Fatbardha Çelepia, “ky shtetas ka qenë person i shpallur në kërkim nga ana e Drejtorisë së Policisë së Shkodrës më datë 22 maj të vitit 2000. Ai ishte shpallur i fajshëm nga drejtësia për veprën penale të “vrasjes me paramendim” dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Arrestimi
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm grupi i gatshëm i policisë së qarkut të Shkodrës është nisur drejt komunës së Temalit për të kapur një person të shumëkërkuar. Kur kanë mbërritur në fshatin Vilë, ata kanë rrethuar banesën e shtetasit Prekë Preka. Sipas informacioneve të siguruara në rrugë operative, drejtuesit e policisë kishin marrë informacion se 59-vjeçari Preka ndodhej në fshatin e tij të lindjes. Brenda pak sekondash ka përfunduar kontrolli i banesës, ku është gjetur personi i kërkuar prej 9 vitesh për vrasje. Burimet policore bëjnë të ditur se në shtëpinë Prekës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe një automatik model 56, dhe 90 copë fishekë.
Vrasja
Prekë Preka dyshohet se ka vrarë bashkëfshatarin e tij Ded Vavaci. Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 shtator të vitit 1999. Viktima ishte fqinj me të dhe dyshohet se krimi ka ndodhur për motive hakmarrje. Menjëherë pas vrasjes, autori i zhduk, duke u shpallur person në kërkim nga policia. Ndërkohë, nisi hetimi në mungesë ndaj tij. Pas rreth 15 muajsh në mungesë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Shkodër dha vendimin për shtetasin Prekë Preka. Konkretisht më 2 tetor ai u dënua me 22 vjet burg në mungesë për “vrasje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Që prej asaj periudhe dhe ditën e premte, 59-vjeçari ishte në kërkim nga policia. Ai ka arritur që t’iu shpëtojë disa operacioneve të organizuara nga policia. Vetëm dje u bë e mundur që ai të prangosej. Tashmë Prekë Prekës i duhet të vuajë në qeli dënimin prej 22 vitesh burg. Arrestimi i të shumëkërkuarit Preka shënon operacionin e dytë të përfunduar me sukses brenda një harku kohor prej 3 ditësh për zbulimin e krimeve të vjetra. Policia e Shkodrës arrestoi 3 prej anëtarëve të familjes Cafi në qytetin verior, të cilët dyshoheshin për një vrasje të ndodhur në vitin 2001 dhe për një sërë veprash penale të tjera.

19 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›