Meta kundër rritjes së taksave vendore, “Varfërohen shqiptarët”
Kryetari i LSI-së Ilir Meta ka deklaruar ndaj tentativës së maxhorancës për të miratuar projektligjin "Për taksat vendore". Meta tha se kjo pseudoreformë e qeverisë, e mbështetur edhe nga lidershipi i Partisë Socialiste, synonte të varfëronte gjithnjë e më shumë qytetarët shqiptarë. “Kjo Qeveri duke realizuar vetëm pseudoreforma, pasi dështoi të mbronte qytetarin shqiptar nga rritja e pamëshirshme e çmimeve, pasi cënoi rëndë stabilitetin makroekonomik me rritjen e ndjeshme të inflacionit, pasi dështoi në realizimin e investimeve publike, duke derdhur buxhetin e shtetit në krateret e zeza të korrupsionit, pasi po tkurr çdo ditë e më shumë nivelin e jetesës së shqiptarëve, synon të shtojë barrën e taksave mbi qytetarin shqiptar, dhe të kompensojë me to papergjegjshmerine e saj qeverisëse. Këtë herë, aleat ka patur lidershipin e PS, që nga instikami i copës se pushtetit që gëzon, ka qenë bashkëpërgjegjës për realizimin e ketij projekt-ligji, një goditje të re mbi mirëqenien e qytetarëve shqiptarë”, tha Meta. Ai theksoi se nuk mund të ketë rritje taksash përsa kohë që qytetarëve nuk u ofron shërbimet minimale publike. “Kjo është evidente nga qytetarët edhe në mes të Kryeqytetit, që kanë probleme jetike me ujin, me plehrat, apo me ndotjen e mjedisit”, tha ai.
19 Korrik 2008