Aksidenti, makina masakron 62-vjeçarin
Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në qytetin e Fierit, ndërkohë që autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Pas aksidentit, policisë i janë dashur tri orë të identifikojë viktimën, i cili është 62-vjeçari, Bajram Balla. Rreth orës 13:00 të mesditës së martë, në unazën verilindore të qytetit të Fierit, është goditur nga një automjet, i moshuari Balla. Sipas burimeve nga policia e qarkullimit rrugor në Komisariatin e Policisë Fier, mësohet se automjeti që mendohet të jetë i tipit "Mercedez Benz", kjo sipas deklaratave të dëshmitarëve okularë, ka qenë duke ecur me shpejtësi të madhe. Në kilometrin e parë të këtij aksi unazor, drejtuesi i mjetit nuk ka mundur të manovrojë në frenim mjetin e tij dhe për pasojë ka përplasur dhe marrë zvarrë për disa metra të moshuarin. Po sipas inspektorëve të policisë së qarkullimit rrugor të Fierit, menjëherë pas kësaj përplasjeje, drejtuesi i mjetit është larguar, duke mos qëndruar për asnjë çast në vendin e ngjarjes. Policia është sinjalizuar nëpërmjet një telefonate në sallën e komandës. Një grup policësh kanë shkuar pranë vendit të aksidentit, ndërkohë që qyteti është izoluar nga postblloqet policore. 62-vjeçari është transportuar drejt spitalit të Fierit, por konfirmohet prej mjekëve të këtij të fundit se ai ka mbërritur i vdekur. Viktima është dërguar në morgun e Fierit, ndërkohë që policia ka nisur operacionin e kërkimit të automjetit që shkaktoi këtë aksident, si dhe të gjejë autorin e tij. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur gjurmë të një prej fenerëve të automjetit që shkaktoi përplasjen, si dhe një emblemë "Mercedes", nga e cila mendohet se një automjet i kësaj marke, ka shkaktuar edhe përplasjen fatale.