E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet vëllai i trafikantit të armëve, po fuste thikë në qeli

Vëllai i një të akuzuari për trafik armësh dhe droge është kapur brenda ambienteve të Burgut 313, duke tentuar të fusë një thikë. Këtë veprim mësohet se e ka kryer, pasi vëllai i tij i ishte ankuar se ndihej i kërcënuar në burg, por fati nuk ka qenë me të. Gardianët e burgut të sigurisë së lartë e kanë dalluar armën e ftohtë, duke e bllokuar protagonistin, i cili do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Burimet policore bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në Burgun 313, në Tiranë, kur 26-vjeçari nga Vlora, Julian I., ka hyrë për një vizitë në ambientet e izolimit të sigurisë së lartë. Gjatë kontrollit të gardianëve të burgut, atij i është zbuluar një mjet i mprehtë, i cili plotësonte kushtet e armës së ftohtë, që i është bllokuar në moment, ndërkohë që në vendin e ngjarjes është thirrur Policia e Shtetit dhe është vënë në dijeni prokuroria. Menjëherë është zbuluar se arma ishte nisur në adresë të 36-vjeçarit, David I., vëllai i protagonistit të ngjarjes, i cili ndodhet në paraburgim nën akuzën e trafikut të armëve dhe drogës. Pas marrjes në pyetje të Julian I., prokurori ka vendosur që ai të ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Sipas të dhënave, David I., është arrestuar nën akuzën e trafikut të armëve, bashkë me gjashtë persona të tjerë, gjatë operacionit të koduar "Qiriri i ndezur", i realizuar më 20 shkurt të këtij viti. Ky operacion u shtri në disa vende të Shqipërisë dhe me finalizimin e tij u bë sekuestrimi i disa armëve dhe municioneve dhe u bllokuan 284 kg marijuanë. Droga ishte vendosur në automjetin "Ford", me targa FR7493B, në pronësi të Azem Cimilit. Kërkimet brenda automjetit të drogës zbuluan edhe arsenalin e armëve. Policia tha në atë kohë se u gjetën 5 armë zjarri automatike, një pistolete, një arkë me fishekë, 20 granata luftarake ofensive dhe 100 ndezës detonatorë. Sipas hetimeve, operacioni për kapjen e këtyre personave kishte nisur që në dhjetor të vitit 2007.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›