Arrestohet, tentoi të korruptonte policinë
Një 35-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë, pasi ka tentuar të korruptojë uniformat blu, në tentativë për të përshpejtuar procedurat e nxjerrjes së pasaportës personale. Megjithatë, ai nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij, por ka deklaruar se mendonte se zvarritja i bëhej për të dhënë ryshfet. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në Tiranë, ku Ardian Veliaj është prangosur nën akuzën e korrupsionit. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur mesditën e së hënës. Pikërisht rreth orës 15:00, 35-vjeçari Veliaj, banues në Kodër-Kamzë, ka shkuar te Drejtoria e Policisë së Tiranës, në tentativë për të marrë pasaportën, që e kishte futur për prodhim. Në bisedën me oficerin e policisë, ai i ka ofruar oficerit 10 mijë lekë, me qëllim përshpejtimin e procedurës. Por, oficeri ka thirrur kolegët, të cilët e kanë arrestuar nën akuzën e korrupsionit. Kur Veliaj është marrë në pyetje, ai ka deklaruar se oficeri i policisë po i kërkonte para, prandaj kishte dashur t‘ia jepte me kusht nxjerrjen e pasaportës.