E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa emëron pasardhësin e Ylli Pinarit

Granit Leka emërohet drejtor i ri i MEICO-s. Leka zë vendin e lënë bosh nga ish-drejtori Ylli Pinari, i cili ndiqet penalisht për "shpërdorim detyre" pas tragjedisë së Gërdecit. Granit Leka, para emërimit si drejtor i MEICO-s, mbante postin e nëndrejtorit të kompanisë së vetme shtetërore që merret me tregtinë e armëve. Emërimi i Lekës në detyrën e numrit 1 të MEICO-s është bërë dje nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. MEICO është operatori shtetëror në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, që administron blerjet dhe shitjet e materialeve luftarake për llogari të kësaj ministrie. Pas tragjedisë së Gërdecit, ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari u mor i pandehur nga Prokuroria Shqiptare për shpërdorim detyre, ndërkohë që iu sekuestruan sasi të mëdha pasurie të paluajtshme. Ndërsa Granit Leka ka qenë përfaqësues i oborrit mbretëror para disa vitesh. Ai ka kryer këtë detyrë në kohën që Leka Zogut iu sekuestrua një arsenal armësh. Më vonë, ai ka punuar në postin e nëndrejtorit të kompanisë së vetme shtetërore që merret me tregtinë e armëve, në Uzinën e Mjekësit. Kjo e fundit është marrë me prodhimin e lëndëve plasëse, duke filluar që nga amonitët, dinamitët, nitroglicerina, barutet me një dhe dy baza etj. Ajo ka një histori mbi 40-vjeçare. Ndërkohë, MEICO është ndërmarrja shtetërore në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, e krijuar në vitin 1991 dhe që nga ky vit ushtron veprimtarinë dhe aktivitetin e saj për plotësimin e nevojave të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe të institucioneve të tjera me mallra importi specifike të karakterit ushtarak, si dhe eksporteve të mallrave ushtarakë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›