E Diel, 1 Nëntor 2026

Rihapet shkolla e policisë, kërkohen 150 rekrutë të rinj

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vendosur rihapjen e shkollës së policisë. Tashmë 150 rekrutë të rinj do të pranohen në radhët e uniformat blu, por pasi të kenë konkurruar me të tjerët dhe të ndjekin kursin 1-vjeçar. Policia e Shtetit deklaroi zyrtarisht se pikërisht sot nis procesi i pranimit të kandidatëve të rinj që do të ndjekin studimet pranë Shkollës së Policisë për "Patrullën e Përgjithshme". Policia e Shtetit, përmes këtij procesi pranimi, që është ndërtuar, duke u bazuar në metodat perëndimore, synon në përzgjedhjen e kandidatëve sa më cilësorë për të shërbyer si punonjës policie. Sipas të dhënave, aplikimet do të pranohen deri më 25 qershor të këtij viti, pra rreth një muaj. Ndërkohë për të gjithë të interesuarit cilësohet se konkurrimi me shkrim do të bëhet në datën 10 korrik 2008 në ambientet e Pallatit të Kongreseve, në orën 08.00, ndërsa kuota e pranimit në Shkollën e Policisë do të jetë 150 persona. Policia ka publikuar edhe kriteret për t‘u pranuar si konkurrues për shkollën e policisë. Veç të tjerash, aplikantët për punonjës policie duhet të paraqesin një sërë dokumentesh pranë drejtorive të policive në qarqe. Trajnimi, të cilit do t‘i nënshtrohen aplikantët fitues, do të përbëhet nga një trajnim policor bazë 20-javor pranë Akademisë së Policisë "Arben Zylyftari". Gjatë trajnimit bazë policor, aplikantët do të trajnohen për të përmbushur të gjitha detyrat e një punonjësi policie, duke përfshirë patrullimin parandalues, hetimin paraprak të krimeve, kontrollin dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, policimin në komunitet dhe zbatimin e strategjive bashkëkohore të zbatimit të ligjit. Ky trajnim do të ndiqet nga një trajnim 20-javor në terren, gjatë të cilit punonjësit e policisë do të zhvillojnë dhe përmirësojnë aftësitë e marra në shkollën policore. Aplikuesit do të përzgjidhen në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe transparente. Gjithashtu, ata të cilët përfundojnë me sukses procesin e testimeve, do t‘i nënshtrohen një procedure verifikimi për të dhënat e kandidatit, si dhe kontrollit mjekësor, kontrollit për droga dhe substanca të paligjshme, si dhe do të bëhet marrja e gjurmëve të gishtave. Përveçse do të bëhen pjesë e brezit të ri të punonjësve të policisë shqiptare, punonjësit që do të përfundojnë trajnimin bazë dhe atë në terren do të kenë të siguruar vendin e punës mbi bazën e aftësive të tyre dhe mundësisë për të konkurruar me qëllim arritjen e gradave më të larta të Policisë së Shtetit. Për të tërhequr kandidatë sa më cilësorë për shkollën e policisë, është hartuar dhe miratuar një program i posaçëm sensibilizues, i cili do të zhvillohet në të gjitha qarqet e vendit në muajt maj-qershor 2008. Për këto aplikime, policia ka publikuar formularin e saj të aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm edhe në faqen e internetit www.moi.gov.al. Ndërkohë, të gjithë të interesuarit mund të paraqiten pranë drejtorive të policisë në qarqe ku banojnë për të tërhequr formularët e aplikimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›