E Diel, 1 Nëntor 2026

Ende pa zgjidhje konflikti i klerikëve të Shkodrës

Vazhdojnë njëra pas tjetrës seancat gjyqësore në Gjykatën e Shkallës së Parë Shkodër mes Arkipeshkvisë dhe një ish-kleriku të kësaj Arkipeshkvie, Dom Marjan Ujkës. Dje në mesditë është zhvilluar seanca e katërt gjyqësore mes palëve, por sërish, ashtu si edhe herë të tjera, ky proces u shty, pasi mungonte Arkipeshkvi metropolitan Shkodër-Pult Angjelo Masafra, i cili ka bërë dhe denoncimin kundër priftit Ujka, se ky i fundit ka penguar kryerjen e riteve fetare dhe ka vazhduar funksionin edhe pas shkarkimit, duke mbajtur në menaxhim disa objekte të kishës në zonën e Velipojës. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, prokurorja e çështjes, Edlira Cufi, kërkoi prezencën në sallë të personit që ka bërë denoncimin, por sërish Arkipeshkvi nuk ishte i pranishëm dhe në të tilla kushte trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës.

Dom Marjan Ujka është emëruar si famullitar në Velipojë në vitin 1994 dhe e ka mbajtur këtë post deri më 2007-ën. Gjatë kësaj kohe, ai thotë se ka bërë të mundur thithjen e investimeve nga kishat simotra, që shkojnë deri në 15 milionë dollarë, duke ndërtuar me to shkolla, ura, rrugë, kisha, furra buke etj.

Por në vitin 2006, kur Dom Marjan Ujka i kërkoi arkipeshkvisë që të qëndrojë si famullitar i inkardinuar (definitiv) në Velipojë, kjo kërkesë nuk u pranua nga Arkipeshkvia dhe Dom Marjanit iu kërkua të qëndronte si misionar. Me këtë emërtim, Dom Marjani nuk ishte dakord dhe në vend të tij u emërua një tjetër prift katolik. Në reagim të kësaj, në muajin tetor të vitit 2007, rreth 60 burra të Komunës Velipojë qëndruan për një javë në grevë urie, por nuk arritën që të kthejnë si famullitar Dom Marjan Ujkën.

Prifti që akuzohet se ka penguar funksionimin normal të kishës në Velipojë, thotë se akuzat që ngrihen ndaj tij janë krejt të pavërteta dhe të nxitura nga xhelozia. Ai ka dërguar në Selinë e Shenjtë në Vatikan një dosje, me anë së të cilës argumenton se shkarkimi i tij nga Arkipeshkvia e Shkodrës është i padrejtë dhe pret nga drejtuesit më të lartë të Vatikanit që të merret një vendim për çështjen e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›