E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti me ambulancën e Dibrës, prangoset shkaktari

 

LAÇ - Arrestohet drejtuesi i “Benz”-it, i cili pas ekspertizës të policisë së Kurbinit rezultoi të ishte shkaktar i përplasjes së ambulancës që transportonte të sëmurët nga Dibra në Tiranë. Sokol Ndreka, 32 vjeç nga Durrësi do të dalë sot në gjykatë ku do t’i komunikohet masa e sigurisë për akuzat e “shkeljes së rregullave të qarkullimit” dhe “aksidentit me pasoja vdekjen”. Ngjarja ndodhi mesditën e së hënës, kur tre mjete u përfshinë në aksident në superstradën e Laçit. Për pasojë, një fëmijë që kishte ardhur në jetë vetëm katër ditë para ngjarjes humbi jetën. Ai po transportohej me urgjencë në spitalin e Tiranës, ndërsa në ambulancë ishte me oksigjen për shkak se kishte probleme me frymëmarrjen. Por në momentin e aksidentit, oksigjeni u shkëput, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të foshnjës me inicialet S.T. Nga kjo ngjarje u plagosën edhe 6 persona të tjerë. Pesë prej tyre ishin në ambulancën që vinte nga Dibra dhe personi i gjashtë i plagosur ishte vetë i arrestuari. Sipas ekspertizës së kryer nga specialistët e qarkullimit, drejtuesi i “Benz”-it nuk ka hapur sinjal në momentin, që do të kalonte nga njëra anë e superstradës në tjetrën. Mjeti i ka bllokuar rrugën ambulancës që po lëvizte me shpejtësi dhe me sirena ndezur. Mësohet se drejtuesi i ambulancës, 44-vjeçari Guri Lala ka deponuar në polici se ishte duke udhëtuar me shpejtësi dhe me sirena ndezur për t’i shpëtuar jetën fëmijës. Por “Benz”-i sipas tij i ka prerë rrugën pa ndezur sinjalin. Për pasojë, në afërsi të kryqëzimit të rrugës së Patokut, “Benz”-i me traga të Laçit që drejtohej nga Sokol Ndreka u përplas me ambulancën, si dhe një mjet tjetër tip “Opel” që vinte nga ana e kundërt dhe që drejtohej nga 34-vjeçari Dritan Mekrisvani. Në këtë aksident u plagosën edhe  60-vjeçari Abduhrraman Çeliku, (i sëmurë) si dhe të afërmit e tij, Lule Çeliku dhe Taulant Çeliku. Gjithashtu, u plagos dhe 55- vjeçarja Teuta Topuzi, (gjyshja e foshnjës ) si dhe infermierja e maternitetit të Dibrës, Fatmira Manreka, të cilët ndodhen në Spitalin Ushtarak në Tiranë. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›