E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Marko Polo” zviceran, rreth botës me biçikletë

 

DURRES / OERD ULQINI

Durrësi ka qenë stacioni i radhës për një zviceran që ka si synim të bëjë xhiron rreth botës me biçikletë. Është 32 vjeç, ka lindur në Lozano dhe konsiderohet si “Marko Polo” i shekullit tonë. Pas një udhëtimi 48-ditor ka mbërritur në Durrës, duke përshkuar me biçikletën e tij Italinë, Slloveninë, Bosnjën, Kroacinë, Malin e Zi dhe së fundi Shqipërinë me një total prej afro 2 mijë kilometrash. Emrin e ka Marko Ausderau. Biçikleta e tij është projektuar enkas për rrugë kontinentale. Ai mund të pedalojë, ndërkohë që është duke u çlodhur.
Është nisur nga Lozano, më 27 dhjetor të vitit të kaluar, duke pasur si objektiv të vetëm në kokë xhiron e botës me biçikletë. Sipas një llogaritjeje të kryer prej tij do t’i duhen të paktën tre vjet të kryejë një gjë të tillë. Në biçikletën e tij profesionale gjen gjithçka. Në bagazhet e saj është palosur një tendë fushimi, që i shërben si strehë, pasi ai nuk fle kurrë në hotel. Dyshekët janë prej ajri. Aty gjenden edhe disa batanije. “Aventurieri” Marko mban gjithnjë me vete edhe filxhanët e çajit, një bombël të vogël gatimi me gaz si dhe enë kuzhine. Në biçikletë ndodhet edhe kasa e mekanikës si dhe disa goma rezervë. “Me veglat që mbaj jam në gjendje ta riparoj biçikletën time në çdo moment”, thotë Marko. Me pasaportën zvicerane që mban të duar, nuk ka probleme vizash. Ai thotë se është një qytetar i Botës. Nuk e përdor celularin, pasi shtetet i ndërron aq shpesh sa skedat bëhen të papërdorshme. Me të mbërritur në Durrës më pyet për një pikë interneti. Falë tij, ai i jep familjes dhe miqve koordinatat më të fundit. Këtu fillon njohja ime me personazhin e vetëpagëzuar si “Marko Polo” i Zvicrës. Është një tip shumë interesant. Ka punuar për shumë vite në një laborator betoni të Zvicrës, ku ushtronte funksionin e kontrollorit të cilësisë. Por tekniku i ndërtimit i tha një ditë “mjaft!” punës së betonit duke zgjedhur aventurën më të pabesueshme për një çiklist.
“Natën e ardhshme do të ngre çadrën në Elbasan apo Librazhd, varet nga distanca që do përshkoj, ndërsa një ditë më pas do të jem me siguri në Maqedoni”, thotë Marko për “Panorama”. Ai është një njohës i shkëlqyer i hartave, ashtu sikurse edhe idhulli i tij, Marko Polo. Pas Maqedonisë do të udhëtojë drejt Bullgarisë dhe më pas në Turqi. Me të shkelur në Azi itinerari i mëtejshëm do të jetë Irak-Iran-Afganistan-Pakistan-Indi-Nepal-Kinë-Vietnam-Kamboxhia-Tailandë-Malajzi për t’u ndalur në skajin më jugor të kontinentit, në Singapor. Deri këtu do të udhëtojë me pedale, por për të vijuar më pas udhëtimin e tij në Indonezi, Timor, Australi dhe Zelandë i duhet të hipë së bashku me biçikletën e tij në traget. Nëse gjithçka shkon mirë ai do të kthehet në Lozano në moshën 35-vjeçare.
Ajo që përdor Marko është mënyra më ekonomike për të shëtitur botën. Ushqimet i blen në treg dhe i gatuan gjatë fushimit. Ka një trup fibër, që përbëhet vetëm nga kockat dhe muskujt. Duron në maksimum të ftohtin. Vjen nga Zvicra e alpeve të larta dhe kjo klimë me ngrica që ka gjetur në Durrës i duket si pranverë.

“Nuk kam frikë nga luftërat”

Do t’i duhet të udhëtojë në shtete të përfshira nga lufta, si Iraku apo Afganistani, por Marko nuk ka frikë. “Edhe për Shqipërinë në Zvicër flitet se është e rrezikshme, por unë këtu gjej vetëm njerëz miqësorë. Jam me fat. Kam lindur në Zvicër ku fliten katër gjuhë. Kjo më ndihmon të komunikoj me çdo njeri në glob. Kam bindjen se në rrugën time të gjatë nuk do të gjej pengesë tjetër veç të ftohtit apo vapës”, shprehet Marko, i cili në Durrës fliste në gjuhën italiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›