E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mat, dëshmia fundos Luftar Reçin

 

BURREL/ HASAN PASHA

Gjykata e Matit siguroi dje dëshminë më të rëndësishme, e cila implikon rëndë shtetasin Luftar Reçi, për vrasjen dhe djegien e trupit të Maksim Lalës. E dashura e viktimës ka treguar se në telefonatën e fundit me të, Lala i ka treguar se po udhëtonte drejt Burrelit me të akuzuarin për vrasjen e tij. I.V., është paraqitur para trupit gjykues, duke rideklaruar ato që kishte thënë katër vjet më parë në lidhje me ngjarjen e rëndë, ku u vra e dogj Maksim Lala, njeriu me të cilën ajo bashkëjetonte. Ish e dashura e viktimës, shoqëruar nga babai i saj ka trokitur pak sekonda para fillimit të seancës së parafundit në Gjykatën e Burrelit. Sipas prokurorisë kjo ishte dëshmitarja kryesore që faktonte se kishte folur në telefon në momentet e fundit të jetës me Lalën dhe ai i kishte pohuar se ndodhej me Luftar Reçin dhe po udhëtonin në drejtim të Burrelit. "Ato që kam thënë në prokurori janë të gjitha të vërteta", theksoi në fillim të fjalës së saj vajza, që bashkëjetoi për gjashtë muaj me Maksim Lalën. "I kam telefonuar disa herë atij dhe më është përgjigjur se po udhëtonte së bashku me Luftar Reçin në drejtim të Burrelit. Kontaktet telefonike mes meje dhe Maksimit janë ndërprerë rreth orës 22:00 të datës 10 maj 2005, pak çaste para vrasjes së tij. Ata kishin hyrë në zonën e Shkopetit dhe linja telefonike nuk punonte. Mungesa e tij më shqetësoi dhe denoncova në polici zhdukjen. Unë i kam vënë prokurorisë në dispozicion numrin tim të telefonit dhe të Maksimit. Bisedat tona janë zbardhur dhe faktojnë se unë dhe Maksimi kemi biseduar disa herë me njëri-tjetrin dhe është faktuar gjithashtu, se ai ndodhej nën shoqërinë e Luftar Reçit". Prokurori i çështjes ka konstatuar se thëniet e të dashurës së Maksim Lalës përputheshin plotësisht me ato që kishte dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore. Për të shtuar faktet, gjyqtarët dhe prokurori i çështjes kanë pyetur dëshmitaren dhe për detaje të tjera. Pyetjes nëse Reçi dhe Lala kishin udhëtuar dhe herë të tjera bashkë, vajza nga kryeqyteti i është përgjigjur se "Maksimi dhe Luftari kanë udhëtuar shpeshherë me njëri-tjetrin. Mbaj mend se shkonin në Korçë e rrethe të tjera, por nuk jam në dijeni se cili ishte aktiviteti i tyre". Deklarimet e njeriut që ka bashkëjetuar për gjysmë viti me viktimën, ashtu siç ajo kishte deklaruar në maj të vitit 2005, pa ndryshimet më të vogla. Mësohet se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Mat ka pasur në dispozicion të procesit të gjitha tabulatet telefonike të pragngjarjes tragjike si dhe prova të tjera të shumta, të siguruara nga Prokuroria e Krimeve të Rëndë si dhe dëshmitarët e shumtë që janë pyetur. Gjyqi në ngarkim të Luftar Reçit po shkon drejt fundit. Me 5 mars është caktuar dita kur Prokuroria e Matit do të publikojë pretencën e saj.

Arrestimi i Reçit
Sipas Prokurorisë së Burrelit arrestimi i Reçit erdhi pas dëshmive të dhëna dhe përgjimeve të telefonatave. Thuhet se janë pyetur 12 dëshmitarë, por deklarimet e të dashurës së viktimës e kanë qenë më të rëndat për autorin e dyshuar për vrasjen dhe djegien e Maksim Lalës, në zonën e Shkopetit. Hetimet nisën me 10 maj 2005 dhe kanë zgjatur deri më 10 maj 2007, datë kur është vënë në pranga Luftar Reçi. Prokuroria e akuzon atë se në pranverën e vitit 2005 ai ka eliminuar fizikisht Lalën dhe pastaj i ka vënë flakën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›