E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti me motor uji, Burgaj shkarkon kreun e kufirit të Durrësit

Plazhi Adoleshenti i plagosur të dielën qëndroi dy ditë në koma dhe ndërroi jetë dje në spital

Vdekja e adoleshentit të aksidentuar nga një motor uji në plazhin e Durrësit ka bërë që të shkarkohet nga detyra drejtori rajonal i policisë kufitare të Durrësit.
Ministria e Brendshme ka firmosur dje shkarkimin e Naim Manukës, kreut të kufirit në Durrës, pas lajmit nga spitali i Durrësit se 16-vjeçari Petrit Matraxhiu ka ndërruar jetë.
Adoleshenti prej dy ditësh ishte në gjendje kome, pasi ishte përplasur nga një motor uji, teksa po lahej në plazhin e fshatit Rinia, pasditen e së dielës.

Burime zyrtare të Policisë së Shtetit kanë pohuar se drejtori i përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, ka firmosur shkarkimin nga detyra për drejtorin e policisë kufitare të Durrësit, Naim Manuka. Vendimi është marrë pas urdhrit të lëshuar nga kreu i Ministrisë së Brendshme, Lulzim Basha, i cili i kishte kërkuar policisë kufitare të mos lejonte mjete të tilla lundruese në zonën e pushuesve.
Policia kufitare ishte urdhëruar të ushtronte kontrolle të vazhdueshme për ndalimin e mjeteve lundruese në zonën e afërt të bregdetit. Mungesa e marrjes së masave i ka kushtuar postin Manukës, i cili prej pak kohësh ishte emëruar në postin e kreut të drejtorisë rajonale të policisë kufitare të Durrësit.

Ndërkohë 16-vjeçari Petrit Matraxhiu, banor i qytetit bregdetar, ka humbur jetën, pasi është goditur nga një motor i shpejtë uji pasditen e së dielës. Adoleshenti ka qenë duke u larë në plazhin e fshatit Rinia, kur është goditur në kokë nga mjeti lundrues që drejtohet nga 37-vjeçari Indrit Murati.
Ky i fundit është ndaluar menjëherë nga uniformat blu, pasi, sipas tyre, në momentin kur ndodhi ngjarja, ai nuk kishte dokumente përkatëse për mbajtjen e mjetit lundrues. Adoleshenti u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të Durrësit, por ai prej dy ditësh ishte futur në gjendje kome. Mëngjesin e djeshëm, ka ndërruar jetë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›