E Diel, 1 Nëntor 2026

Jep dorëheqje zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë, Shefik Duraku

Shkup

Zëdhënësi i qeverisë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Shefik Duraku, të martën ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga ky funksion. Ende nuk dihen shkaqet e dorëheqjes së tij. Siç marrim vesh jozyrtarisht, Duraku në të ardhmen do të angazhohet si zëdhënës në BDI. Qarqe partiake në BDI, duke komentuar dorëheqjen e zëdhënësit qeveritar, thonë se ky është vetëm një paralajmërim për rikonstruktimin e disa ministrave nga radhët e BDI-së, si dhe të zëvendësministrave dhe sekretarëve shtetërorë. Ndërkohë, edhe drejtori i Drejtorisë për Parandalim të Larjes së Parave dhe Financim të Terrorizmit, Vane Cvetanov, ka dhënë të martën dorëheqje nga funksioni të cilin e ushtronte prej vitit 2006. Këtë, siç thuhet në dorëheqje, nuk e bën për shkak të Antikorrupsionit, por për shkak të "politikës hipokrite dhe mosinteresimit për luftë kundër krimit të vërtetë nga ana e qeverisë". Antikorrupsioni kërkonte shkarkim të Cvetanovit për shkak të lëshimeve të konstatuara në punë nga ana e Entit Shtetëror për Revizion. Në dorëheqje, Cvetanov thotë se funksionin e ka marrë me qëllim që të luftojë kundër krimit të vërtetë, që po e ngulfat edhe ekonominë edhe popullin, por, siç thotë, "me siguri ngeca në shumë rrugica dhe më gjeti kjo gjendje". Ndërkohë, LSDM-ja e vlerëson dorëheqjen e drejtorit të Drejtorisë për Parandalimin e Larjes së Parave, Vane Cvetanov, si "pranim për kriminalitetin e qeverisë dhe të VMRO-DPMNE-së". "Nuk ka konfirmim më të madh kur funksionarë të vendosur personalisht nga Nikolla Gruevski flasin publikisht për kriminalitetin", ka thënë zëdhënësi i LSDM-së, Emilijan Stankoviç.
“Deri tani në BDI, edhe lideri i saj, Ali Ahmeti, për këtë temë nuk kanë menduar, por tani BDI ka një pozitë të favorshme politike dhe mund të bëjë një minirikonstruktim”, thonë në BDI. Që nga viti 2008, kur partia e Ahmetit u bë pjesë e koalicionit qeveritar, nuk ka pasur rikonstruktim te ministrat apo funksionarët e kësaj partie në qeveri.
VMRO-DPMNE qysh vitin e kaluar shkarkoi disa, mirëpo atëkohë BDI vendosi që të mos bëjë rikonstruktim në pjesën e saj. Zyrtarë të lartë të kësaj partie, në mesin e të cilëve edhe deputeti Fazli Veliu, publikisht shfaqën pakënaqësi për punën e disa ministrave dhe zëvendësministrave të BDI-së, duke kërkuar shkarkimin e tyre të menjëhershëm nga lideri i partisë, Ali Ahmeti.
Tani zëdhënës i qeverisë mbetet vetëm Martin Martinovski, ndërsa vendi i Durakut do të plotësohet pas pushimeve, gjegjësisht në fund të muajit gusht, apo në fillim të shtatorit. “Integristët” në disa raste publikisht janë shprehur se nuk janë të kënaqur me punën e disa ministrave të tyre. Por këto debate janë zhvilluar edhe në organet e partisë, ku një pjesë e madhe e anëtarëve të kryesisë qendrore kanë shprehur qëndrim se duhet të ketë rikonstruktim të qeverisë.
Por paralajmërime kishte edhe për atë se VMRO-DPMNE-ja planifikon rikonstruktimin e disa ministrave të saj, si atë të Drejtësisë, Mihajllo Manevskin; Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska; dhe atë të Arsimit, Nikolla Todorov. Përpos rikonstruktimit mund të ketë edhe rokada të ministrive me partnerin e koalicionit qeveritar VMRO-DPME. 
Ndërsa jozyrtarisht në BDI kanë liferuar informacion se do ta lëshojë Ministrinë e Ekologjisë dhe Ekonomisë, ndërsa për kompensim do të marrë Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe pozicionin e guvernatorit të Bankës Popullore. Kalkulimet me partnerin e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE bëhen edhe për ministrin e Drejtësisë me atë të Shëndetësisë. Ka shumë kombinime, por sipas informacioneve tona, ende është e padefinuar se cilën ministri do ta lëshojë BDI-ja dhe cilën do të marrë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›