PS: Ministri i Ekonomisë, vilë në Lundër dhe 400 m2 në Tiranë
Akuzat e Partisë Socialiste ndaj ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, janë zgjeruar dje me fakte të reja. Shtëpi, vila dhe sipërfaqe ndërtimi janë lënda e parë e akuzave socialiste të artikuluara dje përpara selisë së Kryeministrisë nga deputeti i Tiranës, Besnik Baraj. “Përveç 1.8 milionë eurove të fituara si me magji në 3 muaj të vetëm si ministër i Sali Berishës, Dritan Prifti nuk ka deklaruar në deklaratën e pasurisë së tij një kat të tërë pallati me sipërfaqe 400 metra katrorë në një nga zonat më luksoze të Tiranës, si dhe një vilë që po ndërton në Lundër, vlera e së cilës llogaritet në mbi 1 milion euro”, tha ai. Përveç shumës së 1.8 milionë eurove, përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qeveri është bërë objekt sulmi edhe për disa “artikuj” të tjerë të mirëqenies materiale, që sipas socialistëve janë përfituar në mënyrë të paligjshme. Akuza politike e përcjellë dje nga Baraj është çuar edhe më tej nga deputetja tjetër Ermonela Felaj, që së bashku me anëtaren e Kryesisë së PS-së, Lindita Nikolli, merrnin pjesë në këtë akt denoncimi publik. Kështu Felaj ka kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme nisjen e hetimeve për ministrin e Ekonomisë, pa harruar me këtë rast edhe vënien në lëvizje të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Verifikimit të pasurive, të cilit, sipas tyre, Prifti u ka fshehur mjediset e sipërpërmendura. “Prokuroria dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë duhet të nisin menjëherë hetimet për aferën... Këtu nuk kemi të bëjmë me një fitim lotarie, por me një rast të qartë korrupsioni. Pretendimi se pa investuar asgjë, Prifti jo vetëm që ka fituar miliona euro, por edhe nuk i detyrohet asgjë shtetit shqiptar, është skandaloz. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, tani na del që ministri na zotëron edhe qindra metra katrorë në mes të Tiranës e një vilë luksoze në Lundër, të cilat as që ka marrë mundimin t’i deklarojë”, tha Felaj. Nuk ka munguar me këtë rast edhe vënia në pah e amoralitetit qeverisës që manifeston ky akt i denoncuar nga PS-ja. Sipas Nikollës, pasurimi i ministrit në përmasa të këtilla vjen në një kohë kur përpara Shqipërisë po bëhet prezente përditë e më shumë sfida e një krize, që në termat e opozitës lidhet me mbijetesën e shumë familjeve shqiptare.
#