Aksidenti në Bulqizë, i hiqet licenca firmës “Duriçi 07”
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i ka hequr dje licencën firmës "Duriçi 07”, që kishte si aktivitet heqjen e stokut të mineralit pranë Minierës së Bulqizës, ku një ditë më parë një punonjës humbi jetën dhe 3 të tjerë u plagosën. Nëpërmjet një deklarate për shtyp në lidhje me këtë ngjarje, METE bën të ditur se, aksidenti ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të rregullave të sigurimit teknik. ”Përsa i takon sigurisë teknike në sektorin mineral, Ministria vëren se aksidentet e kohëve të fundit kanë treguar se edhe në minierat e licencuara ka pasur shkelje flagrante të rregullave të sigurimit teknik”, - tha zëdhënësja e METE-s. Nisur nga aksidenti, Ministria ripërsëriti se, “aktivitetet e rihapjes së shumë punimeve në objektet e vjetra minerare, të cilat, për efekt sigurie, janë të mbyllura, janë të paligjshme”. Sipas të dhënave, deri tani janë rihapur rreth 150 vendburime minerare të mbyllura në ish-minierat e kromit, hekur-nikelit etj. Që nga muaji janar, METE ka ngarkuar shoqëritë "Albminiera", "Albkrom" dhe "Albakër", që të verifikojnë të gjitha punimet e rihapura dhe të vënë në dijeni organet e pushtetit lokal dhe të Policisë për të parandaluar këto aktivitete të paligjshme. Prej disa muajsh Reparti i Inspektimit të Minierave dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore po ushtrojnë kontrolle në të gjitha minierat e evidentuara me risk. Ndërsa ministri i Ekonomisë, Genc Rruli, i ka kërkuar dje Prokurorisë së Përgjithshme që të hetohen të gjitha rastet e aksidenteve në miniera dhe të vihen para përgjegjësisë fajtorët. Ministri Ruli i ka dërguar një letër prokurores së Përgjithshme për t’i kërkuar bashkëpunim të ngushtë me këtë organ, duke i vënë ndërkohë në dispozicion gjithë ekspertizën e nevojshme. Dy ditë më parë, gjatë punës duke gërmuar me ekskavator, si pasojë e rrëshqitjes së një volumi sterili, është aksidentuar me pasojë vdekjen punëtori Aleksandër Gjoka, dhe është plagosur lehtë Bardhyl Duriçi. Sipas mjekut ligjor, shkak i aksidentit është asfiksia si pasojë e ndodhjes nën peshën e sterilit të shembur.
23 Maj 2008