E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH-ja, kontroll projekteve të financuara nga donatorët e huaj

Mbi 1.34 milionë euro është totali i abuzimeve gjatë 3 muajve. Abuzime kanë kryer dhe kompanitë e huaja konsulente

Ervin Koçi

Abuzimet e ndryshme me tenderët publikë, të cilët janë kryer me paratë e donatorëve të huaj dhe që janë administruar nga ministri apo njësi të pushtetit vendor, kanë qenë objektivi i radhës i kontrolleve të KLSH-së. Ky institucion ka bërë dje publike rezultat përfundimtare të kontrolleve të ushtruara dhe shkeljeve të verifikuara gjatë periudhës mars-maj 2008, ku në total shuma e abuzimeve të zbuluara është në vlerën e 1.34 milionë eurove. Abuzime janë vërejtur në Ministrinë e Bujqësisë, në projektet për menaxhimin e burimeve ujore të financuara nga Banka Botërore dhe qeveria italiane në shumën e 14.7 milionë lekëve. Gjithashtu abuzime të mëdha kanë kryer dhe bashkitë e Fushë Krujës, Peshkopisë dhe Kavajës në projektet që kishin lidhje me financimet për gjetjen e burimeve të reja për furnizimin me ujë të pijshëm për qytetet në fjalë. KLSH ka gjetur abuzime edhe në projekte të tjera në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, që kishin të bënin me investimet për mirëmbajtjen e rrugëve, si dhe në ndërtimin dhe supervizionin e segmentit rrugor “Gjirokastër- Tepelenë”. Në të gjitha këto projekte, ku si donatorë janë qeveri të ndryshme shtetesh të fuqishme, apo banka dhe institucione monetare ndërkombëtare, janë kryer shkelje dhe abuzime në vlera të konsiderueshme ku spikatin pagesat për punë të pakryera ose rritjet artificiale të kostove të ndërtimit. Por ajo çka është më e çuditshme është fakti se në shkelje janë përfshirë edhe firmat konsulente, që në pjesën më të madhe kanë qenë të huaja.

Abuzimet me ujin e pijshëm

Në Bashkitë e Fushë Krujës dhe të Peshkopisë janë konstatuar abuzime që kishin lidhje me projektin “Furnizimi me ujë të pijshëm dhe kanalizimet”, i cili ishte një financim i Bankës Islamike për Zhvillim në vlerën 6.586 milionë USD. Projekti kishte për qëllim përmirësimin e sistemit sanitar të furnizimit me ujë të pijshëm në qytetet e mësipërme, nëpërmjet gjetjes së burimeve të reja ujore dhe përmirësimit të sistemit ekzistues të kanalizimeve. Por nga kontrolli i KLSH-së ka rezultuar se, në pjesën e projektit që i përkiste qytetit të Peshkopisë, projekti nuk është realizuar çka ka sjellë dështimin e tij dhe dëmin e konsiderueshëm në shumën 793.995 USD. Gjithashtu janë konstatuar, krahas kësaj, shkelje të konsiderueshme dhe dëme në vlerën 341.467 USD, që kanë lidhje me punën jo të mirë të konsulentit të huaj, me kontraktuesin e punimeve, në respektimin e kontratave, në pagesa për punë të pakryera, si dhe në mungesën e studimit të projektit. Një abuzim i njëjtë, por me vlerë 260.040 euro, është konstatuar nga KLSH-ja edhe në projektin e ngjashëm të furnizimit me ujë për zonat rurale të Kavajës në komunën e Manskurisë. Për të gjitha këto shkelje dhe abuzime me fondet e dhëna nga donatorët e huaj, KLSH-ja ka bërë kallëzimet penale përkatëse për drejtuesit e projekteve dhe autoritetet përgjegjëse, si dhe sinjalizimin e autoriteteve shtetërore.

Abuzimet në Ministrinë e Bujqësisë

KLSH-ja ka gjetur abuzime dhe shkelje të mëdha me fondet e dhëna nga donatorët e huaj edhe në Ministrinë e Bujqësisë, në projektin “Menaxhimi i burimeve ujore”. Ky projekt, i cili ishte një financim i Bankës Botërore, Fondit Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik Arab, OPEC-ut dhe Qeverisë Italiane në shumën 36.2 milionë USD, kishte si qëllim rritjen e prodhimit bujqësor në zona të ndryshme të vendit, duke përmirësuar sistemin e kanalizimeve dhe ujitjes. Nga kontrolli i ushtruar në këtë institucion u konstatuan shkelje të ligjit në fushën e prokurimeve, të pagave, të të ardhurave dytësore si dhe të punimeve, duke u shoqëruar me një dëm ekonomik në vlerën e 14.709.312 lekësh. Për këtë qëllim KLSH-ja ka përgatitur materialin e duhur për kallëzim penal si dhe i ka kërkuar ministrisë në fjalë që të marrë masa disiplinore të përcaktuara me ligj për 5 punonjës të këtij projekti.

Tenderët e rrugëve, përsëri të paditur nga KLSH-ja

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar në kontrollet e tre muajve të fundit miliona lekë dëme që kanë lidhje me tenderët dhe projektet e rrugëve në institucionin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Këto projekte, që kapnin shumat e mbi 30 milionë USD-ve dhe ishin financim i Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim “IDA”, e cila i kishte lëvruar këto para për programin e “Mirëmbajtjes së rrugëve” dhe që menaxhohej nga Njësia e Zbatimit të Projektit në DPRR. Por edhe pse ky projekt arriti objektivin e caktuar, përsëri nga kontrollet e kryera u vërejtën mangësi dhe shkelje me pasojë dëmin ekonomik në vlerën e 25.146.857 lekëve. Dëmet u konstatuan në punimet e realizuara pa cilësinë e duhur, në pagesat e përfituara padrejtësisht, shkelje e kritereve të kontratave etj. Por shkelje të tjera në këtë sektor janë zbuluar edhe në ndërtimin e segmentit rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, i shumëpërfolur për punimet pa cilësi dhe vonesat në përfundimin e tyre. Ky projekt, i cili kapte shumën e 28.5 milionë eurove, ishte një financim i Bankës Europiane të Investimeve. Në përfundim të kontrollit në këtë projekt është zbuluar shkelja totale e 44.195 eurove, në zërat mbivendosje punimesh, rritje fiktive e çmimit të konsulencës, si dhe nga mospagesa në kohë e kontraktorit sipas kontratës nga ana e Njësisë së Zbatimit të Projekteve në DPRR-ë.

23 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›