Legalizimet, ndërtimet pa leje jashtë afatit nuk prishen
Erald Kapri
Drafti me ndryshimet në ligjin e legalizimeve të ndërtimeve informale ka filluar të diskutohet në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese në Kuvend nga ku kanë lindur edhe debatet e para. Maxhoranca dhe opozita kanë arritur një konsensus politik, por nga ana tjetër janë ndier të tradhtuar ish-pronarët, të cilët kanë kundërshtuar ashpër draftin e propozuar. Ish-pronarët, të pranishëm në komision, janë shprehur se drafti ka mangësi të shumta, të cilat nuk garantojnë një proces të drejtë apo korrekt. Sipas tyre, drafti nuk parashikon një mekanizëm ligjor për respektimin e ligjit, i cili nuk lejon legalizime të ndërtimeve informale pas majit të vitit 2006. Ish-pronarët nuk janë optimistë në lidhje me mënyrën e administrimit dhe verifikimit, pasi sipas tyre mungojnë mekanizmat ligjorë dhe praktikë për të verifikuar të gjitha ndërtimet dhe afatin e ndërtimit të tyre. “Amendamentet e bëra në ligjin e legalizimeve nuk e zgjidhin drejt këtë problem aq më tepër që problemi i kthimit dhe kompensimit është me probleme dhe që duhet domosdoshmërish të zgjidhet paraprakisht me një shpronësim të drejtë të menjëhershëm dhe mbi të gjitha të jetë një marrëveshje midis subjektit të shpronësuar dhe shtetit, që do të bëjë legalizimin. Por që subjekti i shpronësuar të ketë të drejtë domosdoshmërish që ta dërgojë çështjen në gjykatë kur nuk është dakord me këtë kompensim”, - tha Agim Toro, sekretari i Përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”.
Marrëveshja
Maxhoranca dhe opozita kanë arritur të gjejnë gjuhën në lidhje me një pikë të ligjit të legalizimeve, kompetencat e pushtetit vendor. “Ndryshimi paraprak është se po gjendet një konsensus për formulimin e amendamenteve që kanë lidhje me problemet e kompetencave midis pushtetit vendor dhe ALUIZNI-t. Jemi në fillim të kësaj pune, do të vazhdojmë dhe ditën e hënë në mënyrë që të kemi arritur që të reflektojmë të gjitha vërejtjet që kërkohen në dekretet e Presidentit të Republikës, po natyrisht që ne si opozitë do të kërkojmë amendamente dhe në nene të tjera, të cilat ne jemi shprehur me rezervën tonë në diskutimin paraprak që i është bërë në komision”, - tha deputeti socialist dhe kryetari i komisionit, Ylli Bufi. Më tej Bufi tha se pushteti vendor do të ketë një afat në lidhje me këtë proces. “Ne i rikthehemi ligjit ekzistues që kompetenca bazë, që është kompetenca e kualifikimit të ndërtimeve pa leje, e mban përsëri pushtetin vendor dhe natyrisht që pushteti vendor nuk mund ta mbajë pa kufi. Kemi vënë një afat ramë dakord që kjo do të jetë edhe dy muaj të tjerë”, - tha ai. Deputeti demokrat, Ardian Kollozi, u shpreh i bindur se do të ketë një konsensus në lidhje më këtë çështje. “Pak a shumë diskutuam për ato pika që ne u shprehëm edhe dje për ndryshimet që ka propozuar presidenti. Iu referuam dhe kërkesave të shoqatës “Pronësi me drejtësi”. Diskutimi vazhdon, por kam bindjen që do arrijmë në konsensus”, - tha Kollozi.
Drafti
Sipas pikave të përbashkëta midis PD-së dhe PR-së, nga data 1 gusht i këtij viti ALUZINI duhet të paraqesë para Këshillit të Ministrave listën me pronarët e ligjshëm që iu zaptua toka nga ndërtimet pa leje. “ALUIZNI i dërgon Këshillit të Ministrave, për vendimmarrje, listën me të dhënat për çdo pronar të ligjshëm dhe për sipërfaqet takuese, jo më vonë se 30 ditë nga data e dërgimit të listës paraardhëse. Afati i parë për dërgimin e kësaj liste është data 1 gusht 2008”, - thuhet në draft. Një pikë tjetër e rëndësishme e miratuar me konsensus është edhe afati për kompensimin e ish-pronarëve, i cili do të jetë tre muaj nga momenti i legalizimit të ndërtimit pa leje.
23 Maj 2008