Shkarkimi i drejtorit të Pronave, Maho, Berisha u shmanget komenteve
Kryeministri Sali Berisha i është shmangur ditën e djeshme pyetjes së gazetarëve në lidhje me shkarkimin e drejtorit të Agjencisë së Pronave, Besnik Maho. Berisha tha se qeveria është e angazhuar për të çuar përpara procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, duke preferuar të mos japë asnjë koment në lidhje me shkarkimin. “Të mendosh se Roma u ndërtua në një ditë është jorealiste, por të injorosh faktet e mëdha është absolutisht kundërproduktive. Asgjë nuk bëhet e prerë me thikë, sepse nuk janë të tilla demokracitë. Demokracitë janë sisteme reformash. Por përpjekja jonë nuk do të reshtë para asnjë vështirësie për të shtyrë përpara këtë proces. Unë mendoj dhe për këtë kam një përkushtim të madh se procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave të marrë një dimension të ri gjatë muajve që vijnë”, - tha Berisha. Deklarata e kryeministrit u dha gjatë vizitës në ekspozitën “Biodiversiteti në art”. Vetëm një ditë më parë, nëpërmjet një vendimi, kryeministri shkarkoi Besnik Mahon me arsye se nuk kishte qenë transparent në punën e tij.
23 Maj 2008