Privatizimi i “ARMO”-s, Berisha: “E bëmë me duar të pastra”
Kryeministri Sali Berisha, gjatë një vizite në ekspozitën “Biodiversiteti në art”, i pyetur nga gazetarët në lidhje me privatizimin e ARMO-s, ka deklaruar se ai ka qenë mjaft transparent. “Privatizimi është bërë me një proces tejet transparent dhe i ndershëm. Është një proces i realizuar totalisht me duar të pastra”, - ka deklaruar kryeministri Berisha. Sipas tij, “ky është privatizimi i qeverisë me duar të pastra, i ndershëm, transparent, në një vlerë të trembëdhjetëfishtë, me një përpjekje të katër viteve më parë”. Oferta më e mirë është paraqitur nga konsorciumi amerikano-zviceran e udhëhequr nga “Final Rafinery Associated of Texas Inc” së bashku me “Mercuria Energy Group Limited” dhe “Anika Enterprises SA”. Amerikanët nga Teksasi dhanë 370 milionë euro për naftën shqiptare. “Final Refinery Association of Texas Inc” ka ofruar shifrën më të lartë, me 125 milionë euro për blerjen e 85 për qind të aksioneve të ndërmarrjes, që futen në buxhetin e shtetit, dhe me 240 milionë euro të tjera investime, me të cilat mund të rinovohet nga e para e gjithë Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, me teknologji moderne. Procedurat e tenderit janë zhvilluar në mënyrë normale, madje, ndryshe nga sa ishte paralajmëruar, u lejua pjesëmarrja e medias në hapjen e zarfeve të ofertave. Incidenti i vetëm u shkaktua kur përfaqësuesit të kompanisë “Cayman Resources”, iu kërkua të lërë sallën, pasi kishte hyrë pas afatit të caktuar për dorëzimin e ofertave. Nga 25 kandidatë të mundshëm, që kishin shprehur interes, katër dorëzuar rregullisht ofertat, ku amerikanët ishin të vetmit që kishin kaluar “dyshemenë” e vendosur nga qeveria shqiptare, prej 110 milionë eurosh. Por, njëkohësisht, duke kaluar shumë kompanitë e tjera: “Penta”, “Petrofac” dhe “Vitol-Euroil”, si në ofertën për blerje, ashtu edhe në fondet e investimeve. Kompania në fjalë nga Teksasi është ndër furnitoret kryesore të ushtrisë amerikane me karburant, madje ajo furnizon edhe avionin presidencial “Air Force One”.
23 Maj 2008