Topalli merr mbështetjen e Asamblesë Parlamentare të KE-së për reformat
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Strasburg, ku është takuar me kreun e Asamblesë Parlamentare të KE-së, Luis Maria de Puig. Kryetari i parlamentarëve europianë i ka dhënë mbështetjen kryetares shqiptare për realizimin e reformave të rëndësishme në Kuvend. “Ditët e fundit, Parlamenti miratoi ndryshimet kushtetuese në një klimë shumë të mirë bashkëpunimi dhe konsensusi midis dy forcave më të mëdha politike në vend. Unë jam shumë e kënaqur me këto ndryshime kushtetuese, pasi ato shmangin krizat dhe krijojnë stabilitet politik në vend”, - u shpreh Topalli. Nga ana e tij, kreu i Asamblesë Parlamentare të KE-së, De Puig, u shpreh i kënaqur për progresin që Shqipëria ka bërë. “Reformat kushtetuese nuk janë të lehta për t’u bërë në të gjitha vendet, por reforma kushtetuese e Shqipërisë është e admirueshme. Mbi të gjitha ne i konsiderojmë të admirueshme ndryshimet kushtetuese, të cilat u arritën me një konsensus të gjerë të parlamentit, çka i jep më shumë stabilitet një vendi demokratik. Unë u ndjeva i nderuar që prita zonjën Topalli në Strasburg dhe i urova sukseset më të mira për vendin e saj”, - tha De Puig,
23 Maj 2008